Presidenti amerikan, Donald Trump kërkon të arrijë një pakt të ri bërthamor me Rusinë, dhe dëshiron që pjesë e tij të jetë dhe Kina.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë pohoi se ka biseduar me liderët e dy vendeve për idenë e tij dhe bëri me dije se Xi Jinping dhe Vladimir Putin ishin shumë entuziastë për këtë.
“Nëse ne do të arrinim një pakt, me të cilin ata dhe ne reduktojmë fuqinë bërthamore, kjo do të ishte diçka e mirë për botën”, tha Trump.
Duke pohuar faktin që Shtetet e Bashkuara duhet të jenë vend lider sa i përket fuqisë bërthamore, Trump ripërsërit faktin se fundi i traktatit të luftës së ftohtë për raketat bërthamore me rreze të mesme erdhi për shkak të shkeljeve të shpeshta të Rusisë. “Ne kemi ripërtërirë fuqinë tonë bërthamore. Do të kemi dhe fuqizim në këtë fushë. Nuk e pëlqej ta them këtë, por ne gjithmonë do të jemi lider në këtë fushë. Shpresoj që kurrë mos të kemi nevojë ta përdorim atë”.
Presidenti amerikan komentoi dhe një sërë çështjesh të tjera. Në fushën e tregtisë, Trump përsëriti vendosjen e tarifave shtesë ndaj Kinës, dhe sipas tij, kostot e këtij vendimi nuk do t’i paguajnë qytetarët amerikanë.
Gjithashtu, ai njoftoi se është i gatshëm të vendosë tarifa për importimin e automjeteve nga vendet e BE-së, nëse nuk do të ketë reciprocitet në shkëmbimet tregtare. Ndër të tjera bëri me dije dhe tërheqjen e nominimit të John Ratcliffe për drejtimin e Agjencive të Inteligjencës Amerikane.