Ajo që nisi si një përgjigje në një platformë “online” ndaj kërkesave ultimative të studentëve, që dolën nëpër rrugët e kryeqytetit e jo vetëm, gjatë muajit dhjetor të vitit të shkuar, është kthyer tashmë në një pakt më të plotësuar.
Prezantimin e “Paktit për Universitetin”, qeveria ka zgjedhur ta prezantojë përpara grupeve të interesit përmes një takimi të mbajtur këtë të premte në Kryeministri, ku kanë marrë pjesë ministrat e përfshirë në grupin e punës, por edhe rektorë, dekanë, pedagogë dhe studentë.
Në fjalën e tij, Rama kërkoi më shumë për studentët.
“Studentët e bënë punën e tyre, ngritën kërkesat, ne i dëgjuam. Unë nuk e di sa kanë dëgjuar universitetet nga kjo. Por kjo shfaqje me shumë fytyra duhet të mbarojë sa më parë, të jemi gati të bëjmë aq sa mundemi, ndoshta edhe më tepër. Por nuk mund të marrim përsipër të bëjmë detyrat që ligji ia ngarkon universitetit. Mos prisni që unë të bëhem me studentët dhe të vij te ju”, tha ndër të tjera Rama, duke iu referuar pedagogëve që i akuzoi se nuk bëjnë mësim.
Sipas Ramës, problemi në këtë rast nuk janë studentët e ngujuar, por pedagogët, të cilëve iu kërkoi të japin mësim qoftë edhe për një student të vetëm. Duke kërkuar të shihen në sy e të bëjnë atë që thonë, Rama u kërkoi me sinqeritet universiteteve të mos braktisin studentët.
Kryeministri Rama kishte premtuar publikimin e këtij pakti brenda muajit janar, teksa theksonte në fundvit dhe fillimvit se do të shkonte përtej 8 kërkesave të studentëve.
Studentët nisën protestat e tyre masive për shkak se refuzonin fillimisht të paguanin tarifat arsimore, të konsideruara të rritura, e për ditë me radhë bllokuan rrugët e rënduan trafikun teksa përshkallëzonin protestën duke refuzuar dialogun me kryeministrin.