Me siguri që, kur të ketë përfunduar, do të jetë në garë për godinën më të pazakontë të ndërtuar ndonjëherë. Kulla e re, që po ndërtohet në Denver, Kolorado, do të tërheqë vëmendjen e kalimtarëve, dhe jo vetëm, për shkak të projektit tepër të veçantë, ku në mes të godinës do të ketë një të çarë gjigante në fasadë.
Struktura e veçantë është projektuar nga kompania arkitekturore kineze “Mad Architects”. Fotografitë e projektit tregojnë se e çara do të mbushet me lule dhe pemë, për një total prej 1200 metrash katrorë me hapësirë të gjelbër.
Në majë të kullës 10-katëshe, vizitorët mund të shohin pamjen spektakolare të Maleve Shkëmborë, si dhe të përfitojnë nga disa ambiente relaksuese, si kopshti, një qendër spa dhe pishina. Në total, në godinë do të ketë 187 ambiente banimi, ndërsa katet e para do të përdoren për aktivitete të ndryshme tregtare.
Arkitektët thonë se janë frymëzuar nga natyra për të projektuar strukturën e pazakontë, por edhe panorama që rrethon qytetin e Denverit, të shpallur para disa vitesh edhe si qyteti më i mirë për të jetuar në SHBA. Ma Yansong, themeluesi i “Mad Architects”, tha për revistën “Nëse i konsiderojmë qytetet moderne si peizazhe të krijuara nga njeriu, duhet të projektojmë kanione, pyje, përrenj dhe ujëvara, në mënyrë që të transformojmë betonin në një natyrë të dytë”.
Punimet për ndërtimin e godinës kanë nisur në fillim të këtij viti dhe do të përfundojnë në fund të vitit 2023.