I Ngarkuari Special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, mori pjesë në një takim për Europën juglindore, organizuar në Uashington pas mëngjesit të lutjeve nga kongresmeni amerikan Robert Aderholt dhe kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu.
Në këtë takim Palmer vuri theksin në nevojën e bashkëpunimit politik për të garantuar reformat e nevojshme për Integrimin Europian dhe ndërtimin e shtetit ligjor. “Mbetëm shumë të zhgënjyer kur në tetor Bashkimi Europian nuk hapi bisedimet për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Palmer. “Prandaj mbetemi të përkushtuar për të punuar me partnerët europianë në mënyrë që ky gabim të korrigjohet dhe të nisin negociatat. Duam të punojmë me ju për të arritur këtë synim.
Në takim ishte i pranishëm edhe Sam Brownback, i ngarkuari i Sekretarit Pompeo për lirinë fetare, përfaqësues të Bundenstagut nga CDU dhe SPD, si dhe përfaqësues nga të gjitha vendet e Europës Juglindore.
Shqipëria përfaqësohej edhe nga Presidenti Ilir Meta, ministri për Diasporën, Pandeli Majko, deputeti socialist Damian Gjiknuri dhe ish-deputeti i PD, Halim Kosova.
Të gjithë diskutantët shprehën mbështetjen e tyre për ndërtimin e një frymë politike të komunikimit e mirëkuptimit për të garantuar një politikë, e cila bazohet në vlerat e besimit në Zot dhe respektin për njerëzit. Zoti Meta dhe Brownback theksuan suksesin dhe rëndësinë e konferencës të organizuar disa muaj më parë nga Presidenti me mbështetjen e Departamentit të Shtetit, një praktikë e cila duhet të zhvillohet dhe në vende të tjera të Ballkanit.