SHBA është e qartë në lidhje me zërat që qarkullojnë prej kohësh në Ballkan për ndryshim kufijsh. I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, thotë në një intervistë për Blic-in serb se kufijtë mes vendeve të Ballkanit janë përcaktuar prej kohësh, ndërsa në dialogun Kosovë-Serbi ka fusha të tjera ku për momentin mund të arrihet progres.
Palmer thotë se kufijtë e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut janë fiksuar, dhe se askush nuk po flet për ndryshimin e kufijve të Bosnje-Hercegovinës. Po ashtu, askush nuk po flet për ndryshimin e kufijve të Maqedonisë së Veriut, sepse as kjo nuk është çështje.
“Çështja e momentit është përcaktimi i një marrëdhënieje normale midis Serbisë dhe Kosovës dhe atë për të cilën Beogradi dhe Prishtina mund të bien dakord. Ne do të ndihmojmë rrugën e tyre drejt BE-së. Serbia dhe Kosova po përpiqen për një të ardhme evropiane. Kosova dëshiron të jetë një pjesë e BE-së dhe për ta arritur këtë, palët duhet të bien dakord dhe një marrëdhënie normale është ajo që BE dhe NATO do të kërkojnë. SHBA do të dëshironte të shihte një Serbi evropiane, një Kosovë evropiane dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen e BE-së. Është pikërisht ajo që ka të bëjë me këtë dialog, pra identifikimi i fushave ku duhet të punohet”.
Javët e fundit është folur për disa të ashtuquajtura non-paper, propozime jozyrtare për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme mes vendeve të Ballkanit përmes ndryshimit të kufijve. I pyetur nëse edhe ai ka sjellë një të tillë me vete, Palmer gjen rastin të theksojë se të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen brenda kornizave të përcaktuara.
“Unë erdha duarbosh. Por vij me një mesazh. Dhe mesazhi është se SHBA dhe BE janë partnerë në procesin e lehtësimit të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Miroslav Lajcak është përfaqësuesi special i BE për dialogun dhe çështje të tjera në Ballkanin Perëndimor. Serbia dhe Kosova janë palët në negociata dhe janë ato që udhëheqin procesin. Miroslav Lajcak po ndërmjetëson bisedimet dhe Shtetet e Bashkuara po mbështesin procesin.
Ka shumë gjëra dhe tema që mund të diskutohen, unë i hedh poshtë këto non-paper, për të cilat askush nuk pranon përgjegjësi. Kur bëhet fjalë për kufijtë dhe territoret, unë nuk e shoh këtë si një çështje ku Kosova është e gatshme të angazhohet, dhe besoj se ka zona shumë më produktive për të folur për momentin”.