Politika Paloka sulmon ashpër Yuri Kim: Nuk njeh gjykatat, kërkon të përçajë opozitën

Paloka sulmon ashpër Yuri Kim: Nuk njeh gjykatat, kërkon të përçajë opozitën

Deputeti demokrat dhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka ka sulmuar ashpër ambasadoren amerikane Yuri Kim pas takimit që kjo e fundit zhvilloi me kreun e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj.

Sipas Palokës, diplomatja amerikanë përveçse ka dalë në mbështetje të mazhorancës, nuk njeh vendimin e gjykatës dhe është vënë në funksion të përçarjes së opozitës shqiptare.

“Ky është me tepër se turp, është shkelje e jo vetëm çdo etike, por dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë! Kjo zonja që uroi Ramën për “fitoren historike” pa mbaruar akoma procesi zgjedhor me 25 prill; që ka dalë hapur në mbështetje të qeverisë më të korruptuar në rajon (siç e cilëson vetë Departamenti Amerikan i Shtetit) dhe që prej kohësh është angazhuar në vetë të parë në përçarjen e opozitës shqiptare, sot ka ndërmarrë një akt të fundit, gjithnjë në shërbim të të njëjtit qëllim.

Zonja ambasadore, me arrogancë, tregon se jo vetëm nuk respekton Konventën e Vjenës, po nuk njeh as vendimet e gjykatave shqiptare megjithëse flet gjithë kohën për drejtësinë.

Ti zonjë mund të takosh kë të duash dhe si të duash, po nuk mund të vendosesh mbi gjykatat shqiptare e sidomos mbi vullnetin e lirë të demokratëve shqiptarë”, shkruan Paloka.