Pamjet e një aksioni të RENEA-s në Lungomare në Vlorë, paraditen e 9 gushtit janë publikuar së fundmi nga gazetari Artan Hoxha.
Në videon duken disa efektivë të RENEA-s, të maskuar dhe të armatosur, disa të veshur civilë, që futen në restorantin e një hoteli, duke shkaktuar panik te turistët, ku kishte fëmijë dhe gra.
Në video duket sesi disa fëmijë futen poshtë tavolinave, ndërsa personat e tjerë të pranishëm largohen të tmerruar.
Sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për një operacion ku është kërkuar ndërhyrja e RENEA-s. Është një operacion që është bërë më 9 gusht nga forcat taktike të RENEA-s.
I gjithë operacioni ndodh për 50 sekonda.
Në raste të tilla ndërhyhet kur ka një person me rrezikshmëri të lartë, por nuk ka informacione kush ka qenë objektivi i efektivëve.
“Lajmi që u dha në media flet për ndërhyrjen në orën 10 të paradites, nuk u arrestua askush dhe aty ka vetëm turistë, kur këto operacione bëhen në mbrëmje. Kur RENEA i bën vetë këto operacione mundohet të shmangë përballjen me civilët. Nuk ka patur informacion të saktë. Një pjesë e këtyre efektivëve kanë qenë me të shkurtra. Njerëzit në lokal janë gra, fëmijë, familjarë. Këto operacione bëhen kur ke informacione të sakta dhe jo kur ka turistë.
Mirë u bë gjithë kjo, po për çfarë e bënë? Nëse 2-3 hoteleve në qendër të Tirënës u futesh kështu, nuk u shkon njeri me. Me aq shumë qytetarë që ndodhen aty për pushime, pasojat nuk dihen. Ky është operacion që nuk pati sukses”, tha gazetari Artan Hoxha.