Ajo që ndodhi mbrëmjen e së martës në kryeqytetin grek i ngjason një skene lufte. Një turmë e madhe huliganësh, të cilët kishin dalë në rrugë për të marshuar kundër dhunës policore për shkak të një përplasje që kishte ndodhur në fundjavë, kanë rrahur brutalisht një oficer policie.
Në pamjet e publikuara nga shtypi grek, shihen disa patrulla policie me motor duke kaluar në rrugë në lagjen “Nea Smyrni” të Athinë për të shpërndarë turmën e protestuesve. Por, siç raporton Kathimerini, duket se ka qenë një pritë e ngritur ndaj policisë, por dhe gazetarëve e fotoreporterëve.
Huliganët ishin të maskuar me kapuç dhe të pajisur me shishe molotov dhe sende të forta. Njëri prej tyre, tërheq nga pas shpine një prej punonjësve të policisë që ndodhej mbi motor, duke e shtrirë përtokë dhe nisi ta godiste dhunshëm. Brenda pak sekondash, aty u mblodh një turmë e madhe huliganësh dhe filluan të godisnin pa rreshtur për rreth 2 minuta e gjysmë policin që qëndronte i shtirë.
Besohet se në shesh kanë qenë rreth 5000 persona, raportojnë mediat greke. Ndërkohë, nga banesat dolën edhe banorët e lagjes, të cilët u përpoqën të fiknin zjarret nëpër koshat e mbeturinave që ishin përfshirë nga flakët si pasojë e bombave molotov të hedhura nga huliganët. Forca të shumta policie zbarkuan në vendngjarje pas këtij incidenti të rëndë, të cilin mediat e Athinës e kanë konsideruar një episod të turpshëm për Greqinë.
Të paktën 10 persona janë arrestuar dhe shoqëruar. Pas kontrolleve në zonë, u gjetën dhe sekuestruan shishe molotov dhe pajisje ndezëse.