Ky është momenti i përplasjes së çiftit të të rinjve mesditën e së dielës në afërsi të godinës së Kryeministrisë.
Siç mund ta shihni në këto pamje dy të rinjtë janë duke lëvizur në këmbë në trotuarin në krah të kryeministrisë kur papritmas automjeti tip Benz i drejtuar nga 21 vjeçari, Jorgaq Thëngjilli tashmë i arrestuar, i përplasi.
Video e kamerave te sigurisë ka kapur momentin kur pas goditjes nga makina, djali bie në tokë pasi është spostuar për disa metra. Ndërsa vajza nuk mundi të lëvizte për shkak të goditjes së fortë që mori.
Në pamje duket dhe shoferi 21-vjeçar, i cili vë duart në kokë pasi sheh se çfarë ka bërë.
Nga përplasja e fortë, vajza që mbeti e lënduar iu nënshtrua një operacioni në Spitalin e Traumës, ku vijon të qëndrojë jashtë rrezikut për jetën.
Shkak i aksidentit dyshohet të jetë bërë shpejtësia tej normave të lejuara me të cilën lëvizte makina tip Benz që drejtohej nga i riu.
Për këtë të fundit, policia ka ngritur akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
21-vjeçari, Jorgaq Thëngjilli nuk ishte i panjohur për rrugoret e kryeqytetit pasi dhe në korrik të këtij viti është gjobitur për shpejtësi tej normave të lejuara.