Nga Oriol Güell, El Pais
Një dekadë më parë, Zhan-Mishel Klaverje, 73 vjeç, shkriu një gram permafrost – tokë në ngricë të përhershme në Arktik – duke arritur të ringjallte një virus 30.000-vjeçar dhe të dhe infektonte me të një amebë. Ishte një moment historik në një karrierë gjatë së cilës ai ka zbuluar së fundmi pesë familje të reja virusesh, të quajtura gjithashtu “viruse zombie”, në mostrat deri në 48.500-vjeçare vjetra të marra nga shtatë zona të ndryshme në Siberi.
Me ndryshimet klimatike dhe temperaturat që në Arktik po rriten më shpejt se sa në pjesën tjetër të planetit, profesori i gjenetikës në Universitetin e Marsejës në Francë, mendon se ka ardhur koha të ndalojmë së konsideruari këto lloj gjetjesh si një kuriozitet shkencor dhe t’i trajtojmë ato si një “kërcënim për shëndetin publik”.
Klaverje i ndau së fundmi njohuritë e tij me 18.000 specialistë të mbledhur në Barcelonë në Kongresin e Shoqatës Evropiane të Mikrobiologjisë Klinike dhe Sëmundjeve Infektive (ESCMID Global), më i madhi në botë i këtij lloji.
Një pandemi e shkaktuar nga një virus që çlirohet nga akulli. Është e frikshme, por është e vështirë të besohet, apo jo?
Është më mirë të hetohen, njihen rreziqet dhe të merren masa për t’i minimizuar ato. Tre janë faktorët kyç: i pari, ka viruse që nuk i njohim dhe që gjenden në permafrost. Së dyti, temperaturat në rritje po shkrijnë gjithnjë e më shumë tokë të ngrirë. Dhe së treti, po shtohet numri i njerëzve që lëvizin nëpër këto zona.
Kjo do të thotë se ka më shumë shanse që të ndodhë diçka, apo jo?
Po. Dhe kujtoni pak se çfarë ndodhi me popullsinë e Amerikës, kur europianët zbarkuan atje bashkë me sëmundjet e tyre. Nëse njerëzimi do të binte në kontakt me një patogjen të panjohur, mund të përjetonim një katastrofë demografike.
Një pandemi si koronavirusi…
Shumë më keq. Kriza SARS-CoV-2 ishte serioze, por ne tashmë dinim shumë gjëra mbi koronaviruset. Ne i kemi hulumtuar ato për dekada me radhë dhe ia dolëm të reagojmë shumë shpejt me një vaksinë. Pandemia e fundit na tregoi se edhe forma të ndryshme të viruseve që ne tashmë i njohim, mund të shkaktojnë pandemi shumë serioze.
Këto forma mund të kenë ekzistuar në të kaluarën, dhe tani të rishfaqen. Por nëse virusi do të ishte plotësisht i panjohur, duhet t’ia nisim nga e para. Do të duheshin disa vite për të prodhuar vaksina…
Ju jeni i sigurt se ka viruse të panjohura?
Po, dhe ne kemi gjetur tashmë disa të tillë.
Si ndodhi kjo?
Në fillim shkrimë një copë tokë që ka qenë në ngricë të përhershme, dhe pastaj e pamë përmes mikroskopit. Vumë re amebat, qenie njëqelizore që mund të shihen lehtësisht. Shumë herë nuk ndodhi asgjë e rëndë, ndaj në ato mostra nuk kishte viruse. Por herë të tjera, pamë që amebat vdiqën, ndaj me siguri ato kanë pasur disa lloje virusesh që specializohen në sulmin e tyre për t’u riprodhuar. Ne i lamë të shumohen dhe i studiuam.
Pra në permafrost ka viruse të panjohura. A ka rreziqe nga shkrirja e tyre?
Në vitin 2016 në Siberi pati një epidemi të antraksit, e cila preku një komunitet barinjsh të zonës. Antraksi shkaktohet nga bakteret, por ato prodhojnë spore që të sëmurin. Dhe këto spore nuk janë aq të ndryshme nga viruset. Këto grimca inerte u riaktivizuan pasi ishin ngrirë për qindra ose mijëra vjet. Edhe viruset mund të riaktivizohen. Ato duhet vetëm të gjejnë bujtësin e tyre. Dhe ai nuk duhet të jetë një qenie njerëzore. Pandemia tjetër mund të vijë nga një virus që do të dalë nga toka e ngrirë e Arktikut, permafrosti.
Çfarë mund të bëhet për të reduktuar rreziqet?
Nëse dikush do të sëmuret rëndë në Siberi, me shumë mundësi do të dërgohet në Moskë. Në fakt ky është hapi më i gabuar, pasi pacienti duhet të trajtohet në terren, dhe kjo nënkupton sigurimin e atyre ambienteve me pajisje mjekësore kompetente, hapësira për izolimin e pacientëve, mjete për karantinë, trajnimin e mjekëve…Më e rëndësishmja është të ndërgjegjësohen njerëzit se rreziku i tyre ekziston, pavarësisht sa i vogël mund të duket. Dhe duhet punuar me popullsinë lokale.
Permafrosti gjendet në një numër të vogël vendesh: Rusi, Shtetet e Bashkuara, Kanada, vendet skandinave… A është e njëjta gjë kudo?
Jo. Në Amerikën veriore dhe Grenlandë, ngrica e përhershme është më shkëmbore dhe ka shumë pak jetë. Interesante për këto hetime është tipi Jedoma, i pasur me lëndë organike dhe që ndodhet në Siberi.
Ju keni një karrierë të gjatë ndërkombëtare. Si e nisët këtë punë?
Rastësisht. Po hulumtoja viruset gjigante që infektojnë amebat. Pastaj pashë një ekip rus që kishte arritur të rriste një bimë nga një farë, e cila kishte qenë nën akull për 30.000 vjet. Dhe thashë me vete: Pse të mos bëj të njëjtën gjë me këto viruse?
A ka ndikuar situata politike në kërkimin tuaj?
Po, dhe është për të ardhur keq. Sepse s’mund të bëjmë kërkime të përbashkëta me shkencëtarët rusë. Fatmirësisht, ne kemi gjetur një mënyrë për ta bërë këtë falë Institutit Alfred Vagner në Potsdam, Gjermani.
Si?
Ata mblodhën mostra nga i ashtuquajturi krateri i Batagaikas në vitin 2019, të cilat datojnë 650.000 vjet më parë, pra janë 10 herë më të vjetra nga mostrat që studiojmë zakonisht. Kjo e tejkalon datimin përmes karbonit, i cili arrin në 50.000 vjet dhe na detyron të përdorim teknika të reja. Ne po përgatitemi të punojmë me këto mostra, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të shmangur ndotjen nga mikroorganizmat aktualë. Është një sfidë shkencore shumë e madhe.
Dhe cili ishte zbulimi juaj i fundit?
Nuk është publikuar ende, por kemi mundur të gjejmë viruse në fundin e Detit Ross në Antarktidë, në skajin tjetër të botës. Në këtë rast, kjo ndodhi falë një bashkëpunimi me shkencëtarët italianë që arritën të nxirrnin disa sedimente nga shtrati i detit në Antarktidë. Ato janë sërish viruse të amebave, të cilat sulmojnë këto organizma për t’u shumuar. Pra po zbulojmë se ky lloj virus gjendet absolutisht kudo.