Themeluesi i firmës gjermane të vaksinave BioNTech, Ugur Shahin i bashkohet zërave të atyre ekspertëve që thonë se pandemia e COVID-19 është drejt fundit.
Në një intervistë portalin më të madh informativ gjerman Bild, Shahin shprehet se nuk e konsideron më aq dramatike situatën e koronavirusit në gjithë globin.
Sipas tij, është fituar beteja më e rëndësishme, ajo e frikës nga infektimi me COVID-19.
Kreu i BioNTech thotë se nuk mund të pretendohet të shpëtojmë një herë e mirë nga ky virus, por e rëndësishme është që infektimet të shndërrohen në rutinë. Shahin megjithatë, thotë se vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga pasojat e rënda të infektimit.
Deklaratat e tij mbështeten edhe nga infektimet në rënie pas qarkullimit të Omicronit në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shumë vende kanë nisur lehtësimin e masave, teksa varianti i ri pavarësisht se u përhap më shpejt se të ato të mëhershmit, nuk shkaktoi mbingarkesa të theksuara në spitale, falë edhe niveleve të larta të vaksinimit.