Industria europiane e makinave u gjend në një situatë jashtëzakonisht të vështirë në kushtet e pandemisë, ku ajo “humbi” 2.4 milion automjete motorike në Bashkimin Europian, dhe pritet që rënia në këtë degë këtë vit të jetë 25 përqind.
Prodhuesit e automjeteve u është dashur të mbyllin qendrat e tyre të zhvillimit dhe vendet e prodhimit në BE për një mesatare prej 30 ditësh pune gjatë periudhës së mbylljes, duke çuar në humbje prodhimi të më shumë se 2.4 milion automjeteve deri më tani.
Dhe nëse shikojmë përpara, shitjet e makinave pritet të bien me rekord 25 përqind në vitin 2020.
Kjo u njoftua nga Shoqata Europiane e Prodhuesve të Automjeteve (ACEA), e cila publikoi rishikimin e saj vjetor të gjendjes së industrisë së makinave në BE me të dhënat e fundit.
Industria automobilistike siguron punësim për 14.6 milion evropianë, që përfaqësojnë 6.7 përqind të punësimit të përgjithshëm në Union. Me 2.7 milion njerëz që punojnë në prodhimin e automjeteve në 226 fabrika në BE, industria e makinave përbën 8.5 përqind të punëve të përgjithshme të prodhimit në rajon.
Gati 18 milion automjete janë prodhuar në Europë në vitin 2019, që përfaqësojnë 20 përqind të prodhimit të automjeteve në botë. 5.6 milion automjete u eksportuan në mbarë botën, gjë që rezultoi në një suficitet tregtar prej 74 miliardë eurosh vitin e kaluar.
Industria e makinave ka shpenzimet më të larta për kërkime dhe zhvillim në BE, duke investuar 60.9 miliardë euro në vit.
Sot, ka 313 milion automjete në rrugët evropiane. Përveç sigurimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave në të gjithë kontinentin, këto automjete janë burimi kryesor i të ardhurave të shtetit, duke gjeneruar më shumë se 440.4 miliardë euro taksa në vit.