Kryetari i PD-së Lulzim Basha, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, deklaroi se pandemia i ka dalë jashtë kontrollit Edi Ramës.
Basha theksoi se njerëzit po dergjen nëpër ambulanca, ndërsa shtoi se numri i testimeve duhet rritur.
“Kam thënë se duheshin bërë 2 500 teste në ditë. Sot nuk mjaftojnë as 2500 testime, por duhen 5 mijë teste. Në ast se nuk shkon në 5 mijë numri i testeve, më shumë do të kemi infektime dhe spitalet më shumë do shkojnë drejt kolapsit.
Njerëzit dergjen nëpër ambulanca. Spitalet rajonale nuk janë në vend. Pandemia i ka dalë jashtë kontrollit Edi Ramës. Nuk janë numra ata, janë njerëz e nuk janë shifra. Vdiq tjetri në trotuar se nuk kishte ku të shkonte. Profesorë thonë se njerëzit presin jashtë ose që dikush të ikë nga spitali pas shërimit ose qoftë larg qoftë të vdesë dikush”, tha Basha.
Basha: Qeveria fsheh shifrat e të infektuarve dhe të të vdekurve nga COVID-19
Basha deklaroi se qeveria fsheh numrin e të vdekurve dhe të infektuarve.
“Nëse Edi Rama do të zbatonte planin tonë me 5 pika të 29 shtatorit, 2500 testime në ditë, fonde për shëndetësinë, rimbursimin e mjekimit ambulator, gjendja do të ishte shumë më e mirë. Plani i PD ka 5 hapa. Pika e parë është; Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor që përfshihet; Rritur numrin e testimeve për COVID në 2500 testime në ditë dhe rimbursim i plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër COVID. Nuk është bërë asgjë për këtë. Sigurimin e pajisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore. Profesorët e nderuar kanë thënë se nuk kanë kapacitete të majftueshme për të trajnuar. Nuk kanë trajnuar mjekët. Edhe sa jetë njerëzisht duhet të humben?! Ne i fshehim shifrat (qeveria). Këtë s’ta them unë, ta thonë ekspertët.
Ti dhe unë dhe kolegët e tu jemi të vetëdijshem për njerëz në rrethin tonë familjarë, të miqve, të të njohurve që kanë vdekur nga COIVID dhe s’janë regjistruar si të tillë. Mos më thuaj jo. Ky është fakt. Shifrat tona zyrtare nuk janë të sakta, Testimet janë mbajtur të ulëta, për të mbajtur të ulëta shifrat e vdekjeve dhe infektimeve. Edhe sa shqiptarë duhet të vdesin për shkak të kësaj neglizhence?!”, tha Basha.