Presidenti Ilir Meta zgjodhi ta bëjë këtë të hënë komunikimin e përjavshëm me gazetarët. Kreu i shtetit preku disa çështje të rëndësishme si pandemia, puna për plotësimin e kushteve për çeljen e negociatave me BE-në.
Vetëflijimi i nënës dhe vajzës
Meta u pyet edhe rreth lajmit që tronditi opinionin publik ku një nënë dhe vajza e saj u vetëvranë pasi besonin tek ringjallja. Meta tha se është shokuar nga ngjarja dhe pret hetimet të shkojnë deri në fund për të çuar para drejtësisë ata që bëhen shkak për humbjen e jetës së këtyre personave.
“Lidhur me çështjen e parë padyshim që jam shumë i shokuar nga ai lajm. Kam kërkuar edhe informacione dhe shpresoj që kjo çështje të hetohet deri në fund dhe të ngarkohen me përgjegjësi ata që instrumentalizojnë qytetarë të pafajshëm dhe bëhen shkak për humbjen e jetës së tyre”, tha Meta.
Pandemia
Sa i përket pandemisë, Meta bëri thirrje që të vendoset një strategji e re, ndërkohë që shtoi se nuk duhet nënvlerësuar marrja e “masave të plota edhe më rigoroze” për përballimin e situatës. Kreu i shteti deklaroi se është i gatshëm të zhvillojë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë nëse qeveria e kërkon.
“Duhet reflektim nga të gjithë, duhet një strategji me protokolle të mirëpërcaktuara për ndalimin e përhapjes së kësaj pandemie. Covid-19 mund të kthehet në një kërcënim më të madh në ditët dhe javët që vijnë”, tha Meta.
“Janë zhvilluar disa mbledhje dhe padyshim edhe nëse në të ardhmen do duhet të organizohet unë kam kërkuar komunikim zyrtar me Ministren e Shëndetësisë. Mendoj që çdo qytetar duhet të sillet vetë në një mënyrë edhe më të kujdesshme dhe më të përgjegjshme për shëndetin e tij, familjarëve, kolegëve. Duket se ka një shkujdesje që ka sjellë në përkeqësim të treguesve. Kjo nuk na ndihmon të hapemi as me BE as me vendet e rajonit. Nëse qeveria e gjykon të domosdoshme patjetër që do të jetë institucioni i gatshëm, por ndërkohë duhet më shumë transparencë, për masa më konkrete”, tha Meta.
Deklaratat e Bolton
Presidenti nuk komentoi deklaratat e Bolton, i cili është shprehur se ideja për korrigjimin e territoreve ka ardhur nga Prishtina dhe Beogradi. Meta u shpreh se Kosova, njësoj edhe Serbia, e kanë vendin në Bashkimin Europian. Për këtë të fundit ideja e ndarjes së territoreve është e rrezikshme sipas Metës.
“Dua të vlerësoj që pa u bërë pjesë të komenteve të diplomatëve apo përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë duhet të jetë në BE. Ky është një objektiv i shpallur në mënyrë të qartë nga të dyja vendet dhe pa asnjë diskutim që në BE çdo ide për ndryshim kufijsh është një ide që nuk i shërben forcimit të themeleve të Europës së Bashkuar. Është e rëndësishme që të punohet për të aplikuar standardet e BE-së sepse nuk mund të ketë asnjë zgjidhje duke bërë llogari, jo vetëm kufijsh, por edhe qytetarësh në radhë të parë”, tha Meta.