Britania e Madhe e kaloi pragun e trishtë të 150 mijë viktimave nga koronavirusi. Kryeministri britanik Boris Johnson tha më herët gjatë javës se vendi do të frenonte valën Omicron, edhe pse po raporton më shumë se 200 mijë infektime në ditë.
Megjithatë kryeministri ka pranuar se javët në vazhdim do të jenë sfiduese, me disa shërbime që do të preken nga mungesa e stafit. Për të zgjidhur ngërçin, autoritetet po mendojnë të reduktojnë periudhën e izolimit për ata që rezultojnë pozitivë, nga 7 në 5 ditë.
Ndërsa vende si Izraeli po mbështeten te doza e katërt për të mbrojtur grupet më të rrezikuara nga varianti më ngjitës Omicron, ekspertët në Britaninë e Madhe thonë se për momentin ajo nuk është e nevojshme, dhe se doza e tretë po rezulton efektive në nxitjen e reagimit imunitar.
Sakaq, Gjermania po planifikon të kufizojë më tej qasjen në bare dhe restorante mes rritjes së infektimeve. Kancelari Olaf Sholc tha se nga 15 janari, qytetarët qe duan të hyjnë në bare dhe restorante do të duhet të tregojnë edhe test negative përveç provës së vaksinimit apo shërimit nga Covid-19.
Mbi 105 mijë vete morën pjesë në protestat e zhvilluara në Francë, kundër projektligjit që kthen certifikatën shëndetësore në certifikatë vaksinimi. Masa ndalon të pavaksinuarit të kenë qasje në jetën publike. Vendi po thyen rekorde infektimi, duke u pozicionuar i dyti në botë me më shumë e 300mijë raste ditore. Shkencëtarët në Francë kanë thënë se varianti Omicron mund të jetë 105 përqind më i transmetueshëm se Delta.