Agjencitë turistike: Vendimi i Greqisë për të mbajtur kufijtë mbyllur, absurd
Pavarësisht kufizimeve nga pandemia, edhe këtë verë destinacionet e preferuara të shqiptarëve do mbeten rajoni për fundjavat, ndërsa Turqia, Egjipti dhe Dubai për pushime më të gjata.
“Shpresa është e madhe që gjërat të ndryshojnë. Vazhdon të mbetet rajoni si destinacion për kalimin e fundjavave, sidomos Mali i Zi, ndërsa për pushime më të gjata është Turqia, ku janë vendosur charter-a, Egjipti, ku do të ketë fluturim me charter dhe Dubau që filluan fluturimet që në fund të Marsit”, tha për Tv Klan kreu i tur-operatorëve shqiptarë, Besnik Vathi.
Kreu i tur-operatorëve shqiptarë, Besnik Vathi, e sheh absurd vendimin e Greqisë që vijon të penalizojë shqiptarët për pushime teksa shumë vende si Turqia po i lehtësojnë masat për t’i dhënë frymëmarrje turizmit.
“Mbajtja e kufirit mbyllur me Shqipërinë është një absurditet që vazhdon kur Shqipëria paraqitet nga infeksionet shumë më mirë se sa Greqia. Kuptohet që Greqia vazhdimisht për turistët shqiptarë ka qenë një destinacion me diapazon çmimesh nga më të ulëtat deri në më të shtrenjtat, me mundësi të mëdha zgjedhjesh”, u shpreh ai.
Përveç atraksioneve turistike ndërkombëtare, ka mjaft shqiptarë që janë fanatikë të destinacioneve brenda vendit që zgjedhin për të pushuar si në bregdet, po ashtu dhe në mal.