Një ngjarje e paprecedentë u regjistrua mbrëmjen e kësaj të marte në aeroportin Rinas, ku një avion i Air Albania që udhëtonte drejt Stambollit u detyrua të kthehej sërish në pistë pasi njëri nga pasagjerët tentoi të hapte derën e emergjencës.
Sipas Top News, avioni kishte pak minuta që ishte ngritur, ndërsa mes udhëtarëve ishte dhe një shtetas indian që po deportohej. Duke përfituar nga situata ai u përpoq të hapte derën e emergjencës çka shkaktoi panik të madh në radhët pasagjerëve. I ndodhur në këto kushte piloti u detyrua të kthehej sërish në Rinas për të rregulluar derën.
Autoritetet pritet që të japin një shpjegim lidhur me situatën e ndodhur brenda bordit të avionit dhe për të zbardhur më shumë detaje.
Ndërkohë mësohet se avioni do të riniset drejt Stambollit pasi të rregullohet dera e emergjencës.