Në prag të ndeshjes së fundit për këtë fushatë eliminatore të Kupës së Botës “Rusi 2018”, që si për ironi të fatit do të jetë pikërisht ndaj kombit të tij, Italisë, trajneri italian i kombëtares së Shqipërisë, Christian Panuçi ka pranuar se do të jetë një ndjesi e veçantë për atë.
Gjithsesi, ish-futbollisti azzurr ka deklaruar se nuk do ta këndojë himnin italian, madje duke rrëfyer një sekret: ai kurrë nuk e ka kënduar atë, as kur luante për përfaqësuesen e Italisë.
“Do të jetë një ndjesi e jashtëzakonshme që të ndeshem me vendin tim, por unë jam një profesionist dhe do të mbroj punën time deri në vdekje.
Unë jam i fortë nga jashtë, por edhe unë kam një zemër. Do t’i motivoj futbollistët që të japin më të mirën e tyre. Nuk do ta këndoj himnin italian, sepse, për të qenë i sinqertë nuk e kam kënduar kurrë, as kur isha futbollist i kombëtares.
Preferoja ta mbaja përbrenda atë moment, gjithmonë me respekt, duke dëgjuar dhe ndjerë ato emocione brenda meje. Do të bëj të njëjtën gjë edhe të hënën”, deklaroi trajneri italian i përfaqësueses së Shqipërisë, Christian Panucci, për Mediaset Premium.