Përtej opinionit të përgjithshëm, Kristian Panuçi e ka kaluar fazën e provës edhe zyrtarisht. Konfirmimi vjen nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili është i bindur se trajneri i ri ka bërë mirë, sidomos në dy ndeshjet e fundit.
“Jam i kënaqur nga stafi teknik në përgjithësi. Sigurisht ka patur edhe gabime të vogla, por në tërësi këto eliminatore ishin maksimumi. Asnjëherë Shqipëria nuk ka arritur të jetë në vendin e tretë në eliminatoret e një botërori”, deklaroi kreu i FSHF-së.
Megjithatë, gjithçka sa u përket eliminatoreve duket të jetë mbyllur këtu, pasi objektiv i radhës i vendosur nga Federata Shqiptare e Futbollit për stafin e ri të udhëhequr nga Kristian Panuçi do të jetë kualifikimi për në europianin Euro 2020.
“Tashmë do të ketë dy rrugë për t’u kualifikuar për në finalet e europianit të ardhshëm nga Liga Nacionale dhe eliminatoret e europianit. Synimi ynë kryesor do të jetë kualifikimi për në kampionatin europian”, u shpreh ai.
Vitin e ardhshëm starton Liga e Kombeve, ku Shqipëria gjendet në vazon C, dhe kjo për kreun e FSHF është një shans për të qenë sërish prezente në Europian, por edhe një mundësi për të aktivizuar më tepër lojtarë për shkak të programit të ngjeshur.
“I kam hedhur një sy ndarjes së grupeve dhe mendoj se objektivi Shqipërisë është jo grupi C, ku gjendemi, por grupi B. Në asnjë rast nuk mund të mendojmë të jemi në C. Ne kemi mundësi reale për të marrë pjesë në mënyrë të vazhdueshme dhe në ndonjë rast në Botëror. Ndeshjet e fundit kanë konfirmuar se Shqipëria është ekip i fortë dhe kompetitiv. Ndoshta do të na duhet të aktivizohen më tepër lojtarë”, thekso. Duka.
Kombëtarja U-19 pësoi tri humbje së fundi? “Të them të drejtën prisnim më shumë nga kjo kombëtare. Rezultatet nuk ishin të mira, ndaj do të ketë, diku nga fundi nëntorit, një lloj analize, ku do të vihen detyra për të ardhmen, – nënvizoi kreu i futbollit shqiptar, i cili nuk harroi edhe ndryshimin në drejtimin e kombëtares së madhe. – Kemi ndryshuar stafin teknik për eleminatoret e Botërorit 2020. Vlerësoj me nota pozitive të gjithë stafin, mbi të gjitha lojtarët. Nuk duhet harruar De Biazi. Euforia pas “Euro 2016” na ka bërë dëm, një “sëmundje” që na ndoqi deri në ndeshjen me Izraelin. Pas këtij takimi pati ndryshim për mirë. Ekipi po përgatitet për miqësoret, që janë planifikuar një në nëntor dhe një në dhjetor. Jemi ekip pretendent për kualifikueset e 2020. Çdo shqiptar që ka mundësi të kontribuojë për këtë ekip, ne do t’i japim mundësinë për të qenë pjesë e kombëtares. Nuk do të ndryshojmë asnjë strategji. Të gjitha dyert janë të hapura. Ne jemi kombëtarja e shqiptarëve”.