Sport Panuçi: Shqipëria, një vend shumë i komplikuar, Duka bëri diçka të shëmtuar

Panuçi: Shqipëria, një vend shumë i komplikuar, Duka bëri diçka të shëmtuar

Ish-trajneri i kombëtares sonë, Kristian Panuçi është rikthyer të flasë për eksperiencën e tij te Shqipëria, që ka zgjatur thuajse dy vite, si pasues i Gianni de Biasit. Italiani, i cili ka ende “hesape”’ të pambyllura me federatën, ka dhënë një intervistë për shtypin italian. Ai ka treguar marrëdhënien me Dukën, por edhe atë shkarkim të cilësuar si të papërshtatshëm.

“Kur unë e mora Shqipërinë, skuadra ishte në vendin e katërt të kualifikueseve për Botërorin 2018. Në fund arritëm të tretët. Shqipëria është një vend shumë i komplikuar. Nëse pas 2016 ishte një pankinë e vështirë në Europë, ishte ajo e Shqipërisë. Vinte nga Europiani ku merrte pjesë për herë të parë, të pranoja ta trajnoja ishte një gjysmë vetëvrasje sepse vështirë se mund të arrija ta kualifikoja. Në kualifikueset për Europian ishin në vazon e katërt, të përfundonim të tretët do ishte arritje, ta përfundonim në vendin e dytë do ishte një mrekulli. Por, kam qenë i lumtur, ishte një eksperiencë fantastike. Kisha një raport të shkëlqyer me djemtë. Presidenti i Federatës ka lëshuar disa deklarata të shëmtuara ndaj meje, por kur isha unë presidenti nuk më ka ndërhyrë. Më ka lënë të punoja”, ka thënë Panuçi lidhur me eksperiencën shqiptare.