Papa Françesku ka dënuar abortin dhe mbajtjen e fëmijëve nga nëna surrogate si shkelje të rënda kundër dinjitetit njerëzor.
Gjatë një deklarate sot në Vatikan, kreu i Kishës Katolike foli gjithashtu për ndryshimin e gjinisë dhe “teorinë gjinore” si ofendime kundër asaj që ai tha se ishte dinjiteti i dhënë nga Zoti i qenieve njerëzore.
“Një qenie njerëzore – qoftë e palindur apo jo – është gjithmonë diçka e shenjtë dhe e paprekshme”, tha ai.
“Ndërprerja e shtatzënisë nuk do të thotë asgjë tjetër veçse mohimi i dinjitetit njerëzor qenieve “më të pambrojtura”, shtoi papa Françesku.
Ai bëri një paralelizim midis abortit dhe zëvendësimit – kur një grua mbart një fëmijë në emër të dikujt tjetër dhe pastaj e jep atë pas lindjes. Në këtë mënyrë, fëmija kthehet “thjesht në një objekt” ndërsa dinjiteti i gruas cënohet për arsye përfitimi.
Vatikani si institucion ka mbajtur një qëndrim të qartë kundër ndryshimit të gjinisë.
Deklarata e quajtur Dignitas infinita (Dinjitet i pafund) u botua pas disa vitesh përgatitjesh nga Dikasteri i Vatikanit për Doktrinën e Besimit nën udhëheqjen e kardinalit Victor Manuel Fernández, i cili, ashtu si Papa, vjen nga Argjentina.
Papa Françesku e kishte miratuar më parë. Temat e trajtuara në të përfshijnë gjithashtu luftën, varfërinë, migrimin, trafikimin e qenieve njerëzore dhe dhunën ndaj grave.