Papa Françesku dënoi masakrën e Bucha-s dhe puthi një flamur ukrainas që i ishte dërguar nga qyteti, gjatë audiencës së tij javore në auditorin e Vatikanit e cila u shoqërua me duartrokitje të forta, shkruan BBC.
“Lajmet e fundit nga lufta në Ukrainë, në vend që të sjellin lehtësim dhe shpresë, kanë sjellë mizori të reja, siç është masakra e Bucha-s”, citoi “Reuters” fjalët e Papa Françeskut.
“Mizoria e përdorur ndaj civilëve të pambrojtur, grave dhe fëmijëve është e tmerrshme”, theksoi Papa.
Papa Françesku i kërkoi një grupi fëmijësh refugjatë që mbërritën nga Ukraina të martën që t’i afroheshin më pranë.
“Këta fëmijë ikën nga Ukraina për të arritur në një tokë të sigurt. Ky është fryti i luftës. Le të mos i harrojmë ata dhe të mos harrojmë popullin ukrainas”, theksoi ai përpara se t’i jepte çdo fëmije një vezë çokollatë të Pashkëve.