Papa Françesku kritikoi kardinalët “mohues” të vaksinimit, duke përmendur kundërshtarin e tij kryesor, i infektuar kohët e fundit me COVID-19.
“Në kolegjin e kardinalëve, ka disa mohues të vaksinimit. Njëri prej tyre, i shkreti, u infektua nga virusi”, deklaroi Papa Françesku gjatë kthimit me avion nga Sllovakia.
Papa Françesku sqaroi se brenda Vatikanit “të gjithë janë të vaksinuar, përveç një grupi të vogël”.
“Ne po studiojmë se si t’i ndihmojmë ata”, shtoi ai.
Ati i Shenjtë, prej muajsh, është një mbrojtës i vendosur i vaksinimit kundër COVID-19.
“Është pak e çuditshme, sepse njerëzimi ka një histori miqësie me vaksinat”, tha ai, duke iu referuar vaksinave që kanë mbrojtur fëmijët kundër fruthit ose poliomielitit për dekada të tëra.
“Ne duhet t’i sqarojmë gjërat dhe të flasim me qetësi”, këshilloi Papa Françesku, ndërsa pranoi se larmia e vaksinave ose reputacioni i tyre i pabarabartë mund të ketë krijuar pasiguri ose frikë.