“Ne nuk mund të injorojmë qëllimet dhe veprimet e liga të tregtarëve dhe trafikantëve të drogës, ata janë vrasës”. Kështu u shpreh Papa Françesku në Ditën Botërore kundër Abuzimit të Drogave dhe Trafikimit të Paligjshëm. Papa Françesku ka dalë edhe kundër liberalizimit të drogës, duke theksuar se në këtë mënyrë do të konsumohet më shumë.
“Ne lutemi edhe për këta kriminelë që u japin drogë të rinjve. T’i jepet fund prodhimit dhe trafikut të drogës. Duke ditur shumë histori tragjike të narkomanëve dhe familjeve të tyre, jam i bindur se është moralisht e nevojshme t’i jepet fund prodhimit dhe trafikimit të këtyre substancave të rrezikshme. Sa trafikantë të vdekjes ka, sepse trafikantët e drogës janë trafikantë të vdekjes, të nxitur nga logjika e pushtetit dhe e parasë me çdo kusht. Reduktimi i varësisë nga droga nuk arrihet duke liberalizuar konsumin e tyre, kjo është një fantazi. Ajo liberalizohet dhe konsumohet më shumë”.
Papa bëri thirrje se përballë këtyre situatave sfiduese askush nuk duhet të qëndrojë indiferent.
“Përballë situatës tragjike të varësisë nga droga e miliona njerëzve në mbarë botën, përballë skandalit të prodhimit dhe trafikimit të paligjshëm të këtyre drogave, ne nuk mund të jemi indiferentë. Të gjithë duhet të veprojmë. Të dish të dëgjosh britmën e vetmisë dhe të ankthit, të përkulesh për të ngritur lart e për të rikthyer në një jetë të re ata që bien në skllavërinë e drogës. Në këtë Ditë Botërore kundër Drogës, si të krishterë dhe bashkësi kishtare lutemi për këtë qëllim dhe ripërtërijmë angazhimin tonë”, përfundoi Françesku.