Papa Françesku mbajti fjalimin e tij të parë në tokën indoneziane të mërkurën teksa u takua me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik në pallatin presidencial Istana Negara në Xhakarta.
Ai u prit nga presidenti Joko Widodo, nga fëmijë indonezianë duke valëvitur flamujt e Vatikanit dhe Indonezisë, si dhe nga disa anëtarë të gardës presidenciale.
Duke nënshkruar Librin e Nderit, Papa shkroi në italisht: “I zhytur në bukurinë e këtij vendi, një vend takimi dhe dialogu midis kulturave dhe feve të ndryshme, uroj që populli i Indonezisë të rritet në besim, vëllazëri dhe dhembshuri. Zot bekoje Indonezinë!”
Në fjalimin e tij drejtuar autoriteteve të vendit, Papa falënderoi të gjithë për mirëpritjen në Indonezi dhe vuri në dukje se grupet e shumta etnike dhe fetë e vendit mund të quhen “përbërja e tij bashkuese”, ashtu si oqeani bashkon mijëra ishujt e tij.
“Motoja juaj kombëtare ‘Bhinneka tunggal ika’ (Të Bashkuar në Diversitet, Shumë por Një) pasqyron mirë këtë realitet të shumëfishtë të popujve të ndryshëm të bashkuar fort në një komb,” tha ai.
Papa Françesku vuri në dukje se harmonia në diversitet kërkon që të gjithë të përqafojnë frymën e vëllazërisë në përpjekje për të mirën e të gjithëve.
“Ky ekuilibër i mençur dhe delikat, midis një morie kulturash dhe vizionesh të ndryshme ideologjike, dhe idealeve që çimentojnë unitetin, duhet mbrojtur vazhdimisht kundër çekuilibrave,” tha ai.
Një punë e tillë, shtoi Françesku, përfshin të gjithë indonezianët dhe u bën thirrje atyre që të përpiqen për harmoni, barazi, respekt për të drejtat e njeriut, zhvillim të qëndrueshëm dhe arritjen e paqes.
Ky është një udhëtim veçanërisht sfidues për një njeri që mbush 88 vjeç në dhjetor, dhe që është përballur me një sërë problemesh shëndetësore. Rajoni i Azi Paqësorit është një prej të paktave vende në botë ku Kisha Katolike po rritet në aspektin e besimtarëve të pagëzuar dhe vokacioneve fetare.
Pjesë të udhëtimit të Papës, që fillimisht ishte planifikuar në 2020 por që u shty për shkak të pandemisë, do të jetë nën gjurmët e Gjon Palit të Dytë i cili gjithashtu vizitoi 4 shtetet gjatë Papatit të tij 27-vjeçar.
Që prej zgjedhjes së tij në 2013, Françesku i ka bërë thirrje Kishës Katolike të përcjellë ngrohtësinë e Zotit drejt periferisë, duke ju referuar komuniteteve të margjinalizuara.
Ai është Papa i tretë që viziton Indonezinë, që ka dhe popullsinë më të madhe myslimane, në botë.