Papa Françesku kritikon mohimin apo rishkrimin e historisë sipas standardeve të sotme, një fenomen i dy viteve të fundit që njihet ndryshe me termin kulturë e anulimit.
Në një fjalim para një grupi diplomatësh, Ati i Shenjtë tha se kriza e besimit në diplomacinë shumëpalëshe ka çuar në “axhenda të diktuara gjithnjë e më shumë nga një mentalitet që hedh poshtë themelet natyrore të njerëzimit dhe rrënjët kulturore që përbëjnë identitetin e shumë popujve”.
Në dhjetor, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, shprehu shqetësimin për një draft manuali komunikimi të Bashkimit Evropian që sugjeronte të mos përdoret termi Krishtlindje.
Vatikani e pa këtë manual si një përpjekje për të anuluar rrënjët e krishtera të Evropës. BE më pas e tërhoqi atë për rishikim.
Para diplomatëve, Françesku paralajmëroi për “një formë të kolonizimit ideologjik, një formë që nuk lë hapësirë për lirinë e shprehjes dhe tani po merr formën e ‘kulturës së anulimit’ që pushton shumë qarqe dhe institucione publike”.
Ai zgjodhi të përdorte termin në anglisht – cancel culture – që shënjon një fenomen të përhapur më së shumti në vende si Shtetet e Bashkuara dhe Britania.
Ka një rrezik të anulimit të identitetit, “nën maskën e mbrojtjes së diversitetit”, citohet Françesku nga Reuters. Ai theksoi se një lloj të menduari vetëm brenda një kanali po merr formë, duke bërë që të mohohet historia dhe të vendoset brenda kategorive të epokës moderne.
Në Shtetet e Bashkuara, ka pasur konflikte për heqjen ose prerjen e kokave të statujave të figurave historike si Kristofor Kolombi dhe Shën Junipero Serra.
Serra, françeskan spanjoll, themeloi një zinxhir misionesh në Kaliforninë e shekullit XVIII, misione që ishin një pararendës i infrastrukturës së shtetit.
Përveç heqjes së statujave, disa kanë kërkuar gjithashtu ndryshimin e emrave të institucioneve si shkollat dhe spitalet me emrin e figurave historike, duke e motivuar këtë me shkatërrimin e kulturave vendase amerikane.
Papa nuk specifikoi asnjë rast, por theksoi se çdo situatë historike duhet të interpretohet në kontekstin e kohës së saj dhe jo sipas standardeve të sotme.