Qytetarët muslimanë dhe të krishterë të Mosulit i rrëfyen Papa Françeskut të dielën për jetën e tyre nën sundimin e ISIS, ndërsa Ati i Shenjtë bekoi gatishmërinë e tyre për t’u ngritur nga hiri, duke u thënë atyre se “vëllazëria është më e qëndrueshme se vëllavrasja”.
Françesku, në vizitën e tij historike në Irak, fluturoi me helikopter në Mosul për të inkurajuar shërimin e plagëve të shkaktuara nga ndarjet fetare dhe për t’u lutur për të vdekurit e të gjitha besimeve.
Papa 84 vjeç eci përgjatë rrënojave të shtëpive dhe kishave në një shesh që dikur ishte qendra e qytetit të vjetër. Qyteti në veri të vendit ishte pushtuar nga ISIS nga 2014 në 2017.
Françesku u ul në një karrige të bardhë i rrethuar nga skeletet e ndërtesave dhe shkallët e dëmtuara.
Qyteti i vjetër i Mosulit është shtëpia e kishave dhe xhamive antike që u shkatërruan në vitin 2017 gjatë një beteje të përgjakshme midis forcave irakiane dhe një koalicioni ushtarak ndërkombëtar që dëboi ISIS.
Korrupsioni dhe luftimet midis politikanëve irakianë vazhdojnë të ngadalësojnë përpjekjet për të rindërtuar Mosulin, ndërsa pjesë të mëdha të qytetit mbeten të rrënuara.
Papa, i prekur dukshëm nga shkatërrimi përreth tij, u lut për të gjithë të vdekurit në Mosul.
“Sa mizore që ky vend, djepi i civilizimit, është goditur nga një barbarizëm i tillë, me shkatërrimin e vendeve të lashta të adhurimit dhe mijëra njerëzve të vrarë dhe të larguar, muslimanë, të krishterë, jezidë dhe të tjerë”, tha ai.
“Sot, megjithatë, ne riafirmojmë besimin tonë se vëllazëria është më e qëndrueshme se vëllavrasja, se shpresa është më e fuqishme se urrejtja, se paqja është më e fuqishme se lufta.”
Ai më pas lexoi një lutje në të cilën ai përsëriti një nga mesazhet kryesore të këtij udhëtimi, i pari ndërmarrë nga një Papë në Irak, se është gjithmonë e gabuar të urresh, të vrasësh ose të bësh luftë në emër të Zotit.