Bota Papa Françesku: Sovranizmi sjell luftërat, po dëgjoj fjalime të ngjashme me ato...

Papa Françesku: Sovranizmi sjell luftërat, po dëgjoj fjalime të ngjashme me ato të Hitlerit

Papa Françesku kritikoi sovranizmin duke e cilësuar si një qëndrim “i mbyllur” që çon në luftë, në një intervistë të publikuar në të përditshmen “La Stampa”, mes një krize politike që ka përfshirë Italinë nga lideri i ekstremit të djathtë Matteo Salvini.

“Sovranizmi është një qëndrim izolues. Jam i shqetësuar sepse dëgjohen fjalime që ngjajnë me ato të Hitlerit në vitin 1934. “Më parë ne! Ne!… Ne, mbi të gjithë”: këto janë mendime që të frikësojnë”, nënvizoi papa Françesku, në intervistën për të përditshmen italiane, pa përmendur politikanë apo vende në mënyrë të veçantë.

“Sovraniteti duhet mbrojtur, por duhen mbrojtur dhe duhen promovuar edhe marrëdhëniet me vendet e tjera, me Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

“Sovranizmi është teprim, që përfundon keq. Gjithnjë! Sjell me vete luftërat. Populizmi, pastaj është mënyrë për të imponuar një sjellje, që çon pashmangshmërisht drejt sovranizmit e nuk duhet ngatërruar me “popolarizmin”, që është kulturë e popullit, mundësi që populli të shprehet lirisht”, theksoi papa Françesku.