Papa Françesku është shfaqur i pakënaqur me të dy kandidatët për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për këtë arsye ka lëshuar kritika ndaj tyre.
Kreu i Kishës Katolike kritikoi planin e ish-presidentit Donald Trump për të dëbuar emigrantët, teksa nuk la pa dhënë një mesazh dhe për qëndrimin e Kamala Harris në lidhje me të drejtat e abortit.
Gjatë fluturimit të tij drejt Romës, pas përfundimit të vizitës 12 ditore në Azinë Lindore, Ati i Shenjtë e cilësoi një “mëkat të rëndë” mospritjen e emigrantëve, teksa për abortin përmendi fjalën “vrasje”.
Për këtë arsye ai lëshoi dhe një thirrje dhe për katolikët amerikanë që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA.
“Të mos votohet është e shëmtuar, nuk është mirë, ju duhet të votoni. Ju duhet të zgjidhni të keqen më të vogël. Kush është e keqja më e vogël? Zonja apo ai zotëria? Nuk e di. Të gjithë, në ndërgjegje, duhet të mendojnë dhe ta bëjnë këtë”, tha Papa Françesku.
Katolikët amerikanë, që numërojnë afërsisht 52 milionë në mbarë vendin, shpesh shihen si votues të rëndësishëm. Në disa shtete të fushëbetejës, përfshirë Pensilvaninë dhe Wisconsin, më shumë se 20% e të rriturve janë katolikë. Françesku, udhëheqësi i rreth 1.4 miliardë katolikëve në mbarë botën, zakonisht është i kujdesshëm në lidhje me peshimin e zgjedhjeve politike kombëtare.
Por ai shpesh kritikon abortin. Ai gjithashtu ka kritikuar më parë retorikën kundër emigrantëve të Trump.
Papa Françesku tha se politikat e të dy kandidatëve ishin “kundër jetës”.
Trump ka premtuar se do të godasë emigracionin e paligjshëm dhe do të dëbojë miliona emigrantë tashmë në SHBA nëse zgjidhet për një mandat të dytë si president.
Harris ka premtuar të nënshkruajë çdo legjislacion të miratuar nga Kongresi për të rivendosur mbrojtjen kombëtare për aksesin ndaj abortit, të cilat u hodhën poshtë nga gjykata supreme amerikane në në 2022.
Papa e quajti emigracionin “një të drejtë”, duke përmendur pasazhe biblike që i quajnë jetimët, të vejat dhe të huajt tre lloje njerëzish për të cilët shoqëria duhet të kujdeset. “Të mos pranosh emigrantët është mëkat”, tha Papa.
Françesku tha se aborti “po vret një qenie njerëzore”. Ai tha se nuk mund të kishte justifikime për një abort. “Është një vrasje”, tha Papa.