Opinioni publik katolik ka pësuar një tronditje ditët e fundit pas botimit të një dokumenti të shkruar nga Joseph Ratzinger, që ende njihet si Papa Bendekti XVI, edhe pse titulli mbetet honorifik nga tërheqja e tij e bujshme në vitin 2013.
Ratzinger, që njihet edhe si një nga teologët më të respektuar të Vatikanit, ka përpiluar një dokument me 18 faqe ku ndërhyn mbi temën e pedofilisë dhe kritikon në mënyrë të drejtpërdrejtë pjesëtarë të Kishës për krimet e kryera.
Jo vetëm, 91-vjeçari gjerman, zgjeron diskutimin mbi rrënjët e kësaj krize, akuzon Kishën që nuk ka kuptuar siç duhet ndryshimet në Evropën Perëndimore pas protestave dhe revolucionit kulturor dhe social të ndodhur në ato vende duke filluar nga viti 1968, dhe deklaron se Evropa “po humbet rrënjët e krishtera”.
Në dokument, Papa aktual, Françesku, përmendet vetëm njëherë, si falënderim në fund, por nuk citohet si burim.
Sipas burimeve të gazetave ndërkombëtare të specializuara në marrëdhëniet brenda Vatikanit, dokumenti ka qenë një risi aspak e mirëpritur nga Vatikani zyrtar.
Ratzinger jetonte i izoluar, me dëshirën e tij, dhe ndërhyrjet publike kanë qenë me pikatore, madje Jorge Bergoglio, Papa Françesku, shpesh herë e ka vizituar privatisht duke marrë këshilla nga ”kolegu” i pazakontë.
Një marrëdhënie e vështirë, sepse nuk ka precedentë modernë të dy papëve në jetë, por që Françesku e ka zbutur në kohë me një dialog personal të mirë.
Dokumenti i botuar, përtej marrëdhënies mes tyre, po thellon akoma më shumë debatin mes mbështetësve të tyre, aty ku Ratzinger është mbështetur nga elementët më konservator dhe tradicionalist, ndërsa qasja e Bergoglios ka bërë për vete pjesën më progresiste të Kishës.