Papa Françesku shfrytëzoi vizitën në Rumani për t’i kërkuar komunitetit rom një ndjesë të rrallë publike për diskriminimin që i është bërë këtij komuniteti, për shkak të karakteristikave të tij.
“Kërkoj falje në emër të kishës, Zotit dhe tuajin për diskriminimin, keqtrajtimin dhe vështrimin e gabuar që ju kemi bërë përgjatë historisë. Nuk kemi qenë në gjendje t’ju pranojmë, vlerësojmë dhe t’ju mbrojmë për shkak të karakteristikave tuaja”.
Papa zgjodhi Rumaninë për të kërkuar një ndjesë të tillë, pasi 10% e popullsisë së këtij vendi i përkasin komunitetit rom, ndër shifrat më të larta në Europë.
Një diskriminim, që sipas Atit të Shenjtë, i përball ata me urrejtje, fyerje, vështirësi punësimi e shkollimi dhe varfëri.
Komentet, kreu i Vatikanit i bëri në qytezën e Blazhit, aty ku lumturoi 7 peshkopë të pushkatuar 71 vite më parë në këtë zonë nga regjimi komunist.