Aktualitet Papërgjegjshmëri e përsëritur e shtetit kundër Kishës Orthodhokse dhe veprim i nxituar...

Papërgjegjshmëri e përsëritur e shtetit kundër Kishës Orthodhokse dhe veprim i nxituar i klerikëve katolikë

Fakti i ri i papërgjegjshmërisë së Ministrisë së Kulturës, e cila lejoi që klerikë të huaj të Kishës Romano-Katolike së bashku me turistë italianë të kryejnë meshë në oborrin e Kishës së Labovës së Kryqit, (që është Kishë Orthodhokse e stilit bizantin, datuar që nga shek. XI, por themelet e saj mendohen të jenë të shek. V-VI) të befason dhe të bën të mendosh: Çfarë planesh ka qeveria “Rilindja” me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë?

E them këtë sepse që në ardhjen në pushtet të kësaj qeverie, në mandatin e parë dhe tani në atë të dytin, ndaj Kishës Orthodhokse janë bërë veprime arbitrare, të përsëritura, të cilat jo vetëm kanë fyer ndjenjat e besimtarëve orthodhoksë, por kanë kryer dëme materiale dhe sakrilegje në të.

Në mendjen e Orthodhoksëve janë të ngulitura dhe të paharruara fakte, si:

1- Ndërhyrja e dhunshme më 4 mars 2015, duke prerë kangjellat e Kishës Katedrale, “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, gjë që u bë pa asnjë projekt të përbashkët dhe miratim të Kishës Orthodhokse. Këto kangjella u prenë për t’iu përshtatur rehabilitimit të sheshit ku  ndodhet  Kisha, pranë selisë së Partisë Socialiste. Vetëm nga protesta dhe reagimi i fortë i KOASH-it u bë e mundur gjetja e një kompromisi.

2- Prishja në të gdhirë dhe tinëz më 26 gusht 2015, e Kishës së Shën Athanasit në Dhërmi, të cilën kryeministri, për të përligjur veprimin e dhunshëm të INUK-ut, e quajti atë një garazh, stallë.

3- Organizimi më 5 korrik 2015 i aktivitetit Miss Albania (Shqipëria), ku u përdorën ambientet e kishës orthodhokse “Kryeengjëjt” në Voskopojë, si dhoma zhveshjeje e veshjeje për vajzat garuese dhe ato sfilonin në një pasarelë, e cila kalonte mbi murin rrethues të kishës, poshtë së cilës ishte paraklisi (kishëza) e Shën Varvarës së bashku me ikonën e saj. Kjo është një  sakrilegj për Kishën  Orthodhokse.

4- Organizimi në mars 2016 në Kishën e Muzeut “Onufri” Berat dhe Shën Maria, në Lagjen Kala, Elbasan, pa dijeninë dhe lejen e Kishës Orthodhokse, por me dijeninë dhe lejen e Ministrisë së Kulturës, i pasarelave të modës, nga një biznes privat, agjenci nusesh me pozimin e vajzave të veshura si nuse me fustane sensuale dhe poza provokuese fyese për ambientin kishtar, në fronin episkopal, përpara ikonastasit dhe ikonave të Shenjta.

Në të  gjitha këto raste si dhe në raste të tjera, KOASH-i ka reaguar publikisht ndaj veprimeve fyese dhe jodashamirëse që bëhen kundër saj dhe besimtarëve orthodhoksë.

Qeveria “Rilindja”, pavarësisht nga premtimet, nuk ia kthen pronat e ligjshme KOASH-it sipas marrëveshjes së Kishës Orthodhokse me shtetin Shqiptar: Ligji 10057, 22-1-2009, neni 22, paragr.2: “Shteti do t’i kthejë dhe kompensojë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të gjitha pronat, me përparësi objektet e kultit tashmë të njohura nga të gjithë, të cilat kanë qenë për shekuj qendra shpirtërore dhe kulturore të komunitetit Orthodhoks dhe përbëjnë historinë e këtij komuniteti, si objektet e kultit, manastiret e shenjta, pasuritë, arkivat e saj, të konfiskuara nga regjimi komunist, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

Shteti, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, i mban ato arbitrarisht si monumente kulture duke vazhduar padrejtësinë që i është bërë Kishës Orthodhokse që nga viti 1967 prej qeverisë ateiste-komuniste, e cila i uzurpoi, i shkatërroi, i keqpërdori, i tjetërsoi, sipas interesit të vet të gjitha kishat, manastiret, pronat dhe pasuritë e Kishës Orthodhokse, si dhe të çdo komuniteti fetar.

Kjo qeveri, në programin e ripërtëritjes urbane, ka marrë përsipër restaurimin përzgjedhës të monumenteve të kulturës, por, kur i restauron, mendon sikur i ka ato prona të saj dhe mund të bëjë me to çfarë të dojë, si për pika turistike, pasarela mode etj. Ja si shprehet ministria e Kulturës, Kumbaro, më 26 dhjetor 2016, ditën e inaugurimit të restaurimit të Kishës së Shën Athanasit, Karavasta: “Ministria e Kulturës do ta futë Kishën e Karavastasë, Kishën e kuqe të Shën Athanasit, në kuadrin e itinerareve artistike, një vend ku Teatri i Operave dhe Baletit mund  të vijnë dhe të japin koncert për ju dhe për turistët e tjerë.”

Shumë monumente kulture, kisha, manastire, janë lënë pas dore dhe nuk ruhen dhe as mirëmbahen, por janë bërë pre e vjedhësve dhe e dëmtuesve dhe rrezikojnë të shemben. Le të kujtojmë këtu kishën-manastir të shën Athanasit, mbi 400-vjeçare, monument i kategorisë së parë me vlera të larta artistike dhe fetare në fshatin Leshnicë, komuna Dhivër, e cila u rrënua nga mosndërhyrja e shtetit apo siç është gjendja e mjerueshme në shumë kisha të tjera monumente kulture të kategorisë së parë, si p.sh. ajo e Marmiroit në Orikum e ndërtuar në shek. XII të periudhës Bizantine.

Por le të vijmë tek ajo çfarë ndodhi në Kishën e Labovës, e cila është marrë përsipër të restaurohet nga Monumentet e Kulturës.

Prof. Gjergj Frashëri, në lidhje me dëmet e mëdha që janë bërë e po vazhdojnë të bëhen ndaj njërit prej monumenteve më të shkëlqyera të periudhës Bizantine, të Kishës së Shën Mërisë në Labovën e Kryqit, shkruan se: “Dallohet qartë zhdukja e elementeve dekorative dhe teknike, të cilat përcaktonin ecurinë e fazave historike të Tamburit. Janë fshirë të gjitha gjurmët kohore të cilat përcillnin këndshëm pjekurinë dhe pleqërinë e këtij monumenti njëmijëvjeçar dhe është pasuar me rikompozim e plotësim stilistik duke na servirur tashmë një pjellë të re “artistike”, e cila nuk është gjë tjetër, veçse një falsifikim në kurriz të vlerave autentike”.

http://konica.al/2017/10/përdhunimi-një-monumenti-kisha-e-Shen-Mërise-e-fatkeqesia-që-ra/

Në qoftë se është e vërtetë ajo çfarë konstaton prof. Gjergji, situata është shumë serioze dhe përbën një dëm të madh jo vetëm për objektin e kultit, por dhe për kulturën dhe historinë  shekullore të vendit tonë.

Duhet të rikujtojmë se gjatë 27 viteve të fundit, Kisha Orthodhokse ka kryer restaurime të plota të 65 monumenteve të Besimit Orthodhoks, nga 165 që janë në total. I gjithë ky investim kap shifrën rreth 11 milionë euro dhe në çdo investim kisha i ka paguar shtetit taksën e TVSH-së. Përveç këtyre, janë krijuar mundësi për studime, simpoziume, projekte restaurimesh dhe kualifikime në fushën e restaurimit dhe mbrojtjes së monumenteve. Të gjitha këto janë bërë nën kujdesin dhe interesimin e drejtpërdrejtë të Kryepiskopit Anastas, duke kërkuar dhe gjetur fonde në këtë drejtim si një pjesë e rëndësishme e shpëtimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Qeveria “Rilindja” po kryen veprime të përsëritura, të njëanshme kundër Kishës Orthodhokse dhe kjo cenon harmoninë fetare, e cila është sa me vlerë të madhe, por aq edhe e brishtë.

Kur u prish kisha e Shën Athanasit, projekti i qeverisë për kthimin në jetë të trashëgimisë kulturore në atë vend ishte të ndërtohej një kishë katolike “muze”, ku t’i bëhej një memorial nderi misionarit të kishës Romano-Katolike, të dërguar nga Propoganda Fide, prifti Nilo Katalanis. Sipas qeverisë “Rilindja”, ky paska kontribuuar në hapjen e shkollës së parë shqipe në fshatin Dhërmi, në zonën e Himarës dhe është varrosur aty në vitin 1694.

Ky veprim i njëanshëm, që prishi kishën e ndërtuar me kontributin e besimtarëve, jo vetëm që i fyeu ndjenjat e tyre dhe i bëri të përballeshin me shtetin, por ndikoi dhe në marrëdhëniet e Kishës Orthodhokse me Kishën Romano-Katolike, të cilat, mbas një ndarjeje gati 1000-vjeçare, në këto kohët e fundit janë në një dialog vëllazëror për një ribashkim në dashuri dhe në të vërtetë. Vlen të theksohet se në prishjen e kishës nga shteti, orthodhoksët prisnin një reagim më të fortë nga Kisha dhe besimtarët katolikë, sepse po bëhej fjalë për një dhunim të një objekti kulti dhe mbrojtje të një integriteti territorial të Kishës Orthodhokse në atë vend, siç mund të ndodhte dhe me Kishën Katolike në një vend tjetër.

Por ajo që ndodhi në Kishën e Labovës, ku klerikë të kishës Romano-Katolike kryen meshë pa dijeninë dhe lejen e Kishës Orthodhokse ose të Mitropolisë së Gjirokastrës, nga ku varet administrativisht Kisha e Labovës së Kryqit, i kalon kufijtë e durimit dhe është një veprim shumë i nxituar dhe i gabuar, sepse është kundër Kanoneve Apostolike dhe Sinodeve Ekumenike, të cilat që të dyja kishat i pranojnë si kanone të patjetërsueshme, që përcaktojnë qartë që asnjë klerik nuk mund të shërbejë si i tillë në një dioqezë tjetër pa lejen e episkopit që mbikëqyr atë dioqezë ose episkopatë. Midis klerikëve katolikë që meshuan, njëri ishte episkop. Ky fakt e bën më të rëndë situatën, aq më tepër kur kishat janë të ndara që nga viti 1054 dhe kanë territore të përcaktuara. Ndaj duhet më shumë kujdes dhe respekt reciprok, që të mos i lëmë shteg përçarjes.

Gjatë gjithë këtyre viteve të lirisë së besimit, Kisha Orthodhokse është treguar përherë e kujdesshme për të mos ndërhyrë në territoret e Kishës Katolike, me qëllim që të ruajë marrëdhëniet e bashkëpunimit reciprok.

Kjo qeveri, që premtoi rilindje të ligjit dhe të së drejtës, siç është ai i pronës, për ne Orthodhoksët, nuk i ka mbajtur premtimet, madje ka bërë gabime të përsëritura, veprime të dhunshme, fyese dhe sakrilegje, siç i përmendëm më sipër, ku qeveria ka kaluar në kompetencat e një shteti laik, duke shkelur në mënyrë të njëanshme nenin 23, paragrafi 2 të marrëveshjes kishë-shtet ku: “Shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja e interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”.

Qeveritarët në pushtet, kushdo qofshin, nuk duhet të shprehin preferencë personale fetare apo të përkrahin vetëm një grup fetar ndër gjithë grupet; dhe madje shteti si rregullator dhe garant i ligjit dhe i së drejtës, nuk duhet të lejojë përplasjen e komuniteteve fetare, e cila mund të sjellë prishjen e harmonisë midis besimeve fetare, për të cilën komunitetet fetare po investojnë gjithmonë e më shumë për ta ripërtërirë çdo ditë.

Kujdes dhe shumë kujdes jo vetëm qeveritë dhe shtetarët, por, në veçanti, përfaqësuesit e feve në Shqipëri së bashku me besimtarët duhet ta ruajnë, ta kurojnë dhe ta mbrojnë harmoninë fetare, si një nga të vetmet vlera që na kanë mbetur dhe mund t’i “eksportojmë”në botën e qytetëruar me ligje dhe respekt të ndërsjellë.

*Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit në KOASH.