Aktualitet Para borxh për drogën në Angli, merret peng 30-vjeçari në Durrës, tre...

Para borxh për drogën në Angli, merret peng 30-vjeçari në Durrës, tre në pranga

Tre persona janë arrestuar nga policia në Durrës pasi morën peng një 30-vjeçar me iniciale B.H.

Uniformat blu që kishin marrë informacion për ngjarjen dhe se autorët së bashku pengun ndodheshin në një makinë dhe po lëviznin në zonën e plazhit në drejtim të Shkozetit, organizuan punën dhe lokalizuan automjetin e dyshuar.

Nga kontrolli rezultoi se në automjet ndodheshin 4 shtetas, njëri nga të cilët ishte i marrë  peng nga 3 shtetasit e tjerë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi B. H. ishte marrë dhe mbajtur pa dëshirën e tij, në automjetin tip “BMW X5”, nga shtetasit I. K., 27 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë, G. C., 26 vjeç, banues në lagjen nr.13, Durrës dhe J. D., 29 vjeç, banues në lagjen nr.14 Shkozet, Durrës.

Këta tre shtetas po e kërcënonin shtetasin B. H., për t’iu dhënë shumën 6 000 paund, të cilën shtetasi I. K. pretendonte se ia kishte detyrim shtetasi B. H., për një çështje droge në kohën kur të dy këta shtetas kryenin dënimin për narkotikë, në shtetin britanik, në të njëjtën qeli burgu.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve I. K., G. C. dhe J. D., dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të kryera në bashkëpunim.