Pas publikimit të databazës me të dhënat personale dhe vendet e punës e pagesat e mbi 600 mijë qytetarëve, një tjetër listë është publikuar ditën e sotme, ku përveç informacioneve të sipërpërmendura, ishin përfshirë dhe numrat e celularëve.
Në mesin e emrave të listës së dytë që përkon me muajin prill 2021, janë dhe deputetët e Kuvendit, si dhe të këshilltarëve.
Me pagesën më të lartë, sipas kësaj databaze, është kryetari i Kuvendit me një vlerë prej 228.730 lekë. Asokohe në këtë pozicion ka qenë Gramoz Ruçi.
Pas tij renditet këshilltari i Kryetarit të Kuvendit me një pagë prej 192.900 lekësh ndërsa pasohet nga deputetja Vasilika Hysi me një rrogë prej 187.610.
Me të njëjtën shumë rezulton dhe ish-deputeti Myslim Murrizi. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla figuron me pagë 180.286 lekë dhe që pasohet nga një tjetër punonjës, Drejtor Drejtorie në administratën shtetërore me 174,400.00 lekë.
Mimi Kodheli figuron me pagë 164,609.00 lekë, ndërsa me po të njëjtën pagë figuron edhe Rudina Hajdari.
Mësohet edhe rroga e Knut Fleckenstein
Ish-raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin e BE dhe ish-eurodeputeti Knut Fleckenstein, prej muajit maj të vitit të kaluar është emëruar Këshilltar i Kryetarit të Kuvendit, aso kohe të kryeparlamentarit Ruçi, post që vijon ta mbajë edhe me Lindita Nikollën.
Skandali me publikimin e pagave, nxori në pah sa paguhet Fleckenstein nga shteti shqiptar. Sipas data-base, ish-raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin e BE dhe ish-eurodeputeti Knut Fleckenstein, paguhet 153,300.00 në pozicionin e këshilltarit të kryetarit të Kuvendit.