Aktualitet Para kundrejt vendit të punës në Drejtorinë e Burgjeve, SPAK arreston dy...

Para kundrejt vendit të punës në Drejtorinë e Burgjeve, SPAK arreston dy zyrtarë (Emrat)

SPAK njofton se ndaj 2 zyrtarëve, Agron Balla dhe Klodian Gjeci, është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” pasi ekzistojnë dyshime se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kërkuar dhe marrë përfitime në shuma monetare me qëllim për të ushtruar ndikim të paligjshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Sipas SPAK, shumat monetare janë kërkuar dhe marrë me qëllim për të bërë të mundur punësimin e një personi në strukturat në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

2 zyrtarët dyshohen për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë Durrës kanë ekzekutuar ditën e djeshme masat e sigurimit për zyrtarët e sipërpërmendur.

NJOFTIMI I SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar hetime në lidhje me proçedimin penal nr.18 viti 2021 që bën fjalë për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me këtë proçedim penal, në bashkëpunim me policinë gjyqësore në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, janë krijuar dyshime se shtetasit K.Gj dhe A.B, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kërkuar dhe kanë marrë përfitime materiale të padrejta, në formën e shumave monetare, me qëllim për të ushtruar ndikim të paligjshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Shumat monetare janë kërkuar dhe janë marrë me qëllim për të bërë të mundur punësimin e një shtetasi në strukturat në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.55, datë 06.06.2023 të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:

Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim K.Gj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal.

Caktimi i masës së sigurimit “arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim A.B, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1 dhe 25 të Kodit Penal.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policise Durrës kanë ekzekutuar në datën 06.06.2023 masat e sigurimit personale të vendosura ndaj personave nën hetim të mësipërm.

Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.