Politika Para mbërritjes në Tiranë, i ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA-ve...

Para mbërritjes në Tiranë, i ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA-ve merr porositë nga Yuri Kim

David Wisner do të jetë i ngarkuari me punë i ambasadës së SHBA në Tiranë. Mësohet se ai do të ushtrojë detyrën e ambasadorit me fuqi të plotë deri në mbërritjen e David Kostelanick, i cili parashikohet të vijë në nëntor ose në dhjetor. Kjo për shkak të vonesave të procedurave në Senatin amerikan.

Wisner përpara mbërritjes në Shqipëri është takuar me Yuri Kim, diplomaten amerikane që mbante detyrën e ambasadores në vendin tonë.

Kim tashmë ushtron detyrën e Ndihmës Sekretare e Shtetit në Detyrë për Çështjet e Europës dhe Euroazisë.

Në një njoftim ambasada amerikane bën të ditur se në këtë takim të mbajtur në Uashington ata diskutuan partneritetin e fortë SHBA-Shqipëri dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në fushat e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit.

“I ngarkuari i ardhshëm me Punë i Ambasadës së SHBA në Tiranë, David Wisner, u takua së fundmi me Yuri Kim, Ndihmës Sekretare e Shtetit në Detyrë për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, në Uashington DC. Ndihmës Sekretarja në Detyrë uroi z. Wisner për detyrën e tij të re në Shqipëri. Ata diskutuan partneritetin e fortë SHBA-Shqipëri dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në fushat e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit”, njofton Ambasada Amerikane.

Yuri Kim si ambasadore pati përplasje të forta me opozitën.

Gjatë mandatit të saj, u shpall vendimi i DASH për të cilësuar ish-kryeministrin Sali Berisha si non grata. Kjo solli një betejë të ashpër dhe sulme të paprecedenta të Berishës, të një ish-kryeministri ndaj një diplomate amerikane.

Kim u largua nga Shqipëria në 26 qershor të këtij viti pas 3 viteve punë si ambasadore e SHBA-ve në Tiranë. Në vendin e saj, presidenti amerikan Joe Biden ka emëruar diplomatin David J. Kostelancik.