Askush nuk mund ta injorojë çështjen e pavarësisë në fushatën zgjedhore skoceze. Partia në pushtet SNP po ngre qëllimisht gjendjen shpirtërore, kurse kundërshtarët shohin çështje më të ngutshme.
Nga Imke Köhler (ARD)
Në Edinburg, kalimtarët i afrohen kryeministres skoceze Nicola Sturgeon për të diskutuar me të gjëra që i preokupojnë. Ajo është e rrethuar nga fëmijë, që duan të bëjnë fotografi me të. Sturgeon po bën fushatë për Angus Robertson atë pasdite. Ai është kandidat i SNP në lagjen Edinburgh Central.
Robertson, i cili flet edhe gjermanisht,e shmang përkthimin drejtpërdrejt të emrit të partisë së tij – Partia Kombëtare Skoceze
(SNP). Kjo tingëllon si “e djathtë ekstreme”, thotë ai dhe shton: “Ne nuk jemi të tillë, ne jemi një parti e moderuar e qendrës së majtë, me një perspektivë evropiane.” Partia është shumë e kënaqur që ndoshta do të ketë sukses të fitojë një shumicë në Parlamentin skocez “për një tjetër referendum për pavarësinë skoceze” – dhe se “ne do të kthehemi në Bashkimin Evropian brenda një kohe shumë të shkurtër.”
Në vitin 2014 pati njëherë një referendum për pavarësi. Në atë kohë, shumica e skocezëve u shprehën pro qëndrimit në mbretëri. Brexiti e ndryshoi gjendjen shpirtërore, por situata ende nuk është e qartë. Në sondazhe, rreth gjysma e Skocezëve mbështesin pavarësinë dhe gjysma janë kundër. Martini, 27 vjeç, i cili është në Glasgow Southside, zona elektorale e kryeministres Sturgeon, padyshim që nuk do të votojë për SNP-në. “Brexit është mjaft i keq, por pavarësia do të ishte shumë më e keqe”, thotë ai. “Skocia nuk ka shumë për të ofruar dhe nuk do të kthehet në BE së shpejti. Dhe të qenit vetëm nuk do të na sillte gjë.”
E fiksuar “te pavarësia?”
Përkundrazi Matts, një skocez në fillimin e të gjashtëdhjetave, është i vendosur për pavarësinë. Ai thuajse ndihet i detyruar të veprojë përballë qeverive konservatore britanike të dekadës së kaluar: “Unë nuk jam nacionalist me vullnet të lirë, por mendoj se mënyra si është sjellë Westminsteri gjatë dhjetë apo njëmbëdhjetë viteve të fundit e bën pavarësinë skoceze pothuajse të pashmangshme. Bëhet fjalë më shumë për demokraci sesa për nacionalizëm”.
Ndjenja e të qenit i shpërfillur dhe i denigruar nga qeveria në Londër është e përhapur në mesin e mbrojtësve të pavarësisë dhe është përforcuar nga SNP. Kjo parti ka qenë në pushtet në Skoci që prej 14 vjetësh. Ajo aktualisht ka vetëm një qeveri pakice, por shpreson të marrë më shumë vota në zgjedhjet e së enjtes. Përveç SNP-së, për pavarësinë skoceze po luftojnë Të Gjelbrit dhe partia e sapo themeluar ALBA.
Paraardhësi i Sturgeonit, Alex Salmond, e themeloi pa e zgjatur këtë parti, pasi u përlesh publikisht me Sturgeonin. Salmond ishte dikur mentori politik i Sturgeonit, tani ata garojnë në parti të ndryshme. Sidoqoftë, vëzhguesit i konsiderojnë shanset e suksesit të ALBA-s si mjaft të vogla.
Partitë e tjera, konservatorët (Tories), Laburistët dhe Liberal-Demokratët, janë kundër pavarësisë – ose në parim ose të paktën për vitet e ardhshme: lideri laburist skocez, Ansas Sarwar e akuzon politikën se është e fiksuar në çështjen e pavarësisë, në një kohë që për shkak të pandemisë duhet të merrej me gjëra krejt të tjera.
Por në fakt, megjithatë, askush nuk mund ta injorojë çështjen e pavarësisë – aq më tepër kur SNP ka njoftuar se në rast të një fitoreje në zgjedhje dhe të një shumice përkatëse parlamentare, do të mbahet një referendum i ri për pavarësi, edhe po të mos e miratojë qeveria britanike.