Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar Perëndimin se Marina e vendit të tij mund të sulmojë në çdo moment armiqtë, nëse do të jetë nevoja.
Disa javë më parë, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar u përfshinë në një incident të rëndë, ku anijet dhe avionët rusë qëlluan në drejtim të një anijeje britanike që sipas tyre ishte futur në ujërat territoriale ruse në Gadishullin e Krimesë.
“Jemi në gjendje të pikasim çdo mjet nënujor, detar dhe ajror të armiqve dhe, nëse duhet, të ndërmarrim sulme të pashmangshme kundër tyre”, tha presidenti rus gjatë një parade të Marinës në Shën Pjetërburg.
Incidenti i qershorit ishte ndoshta më i rëndi i ndodhur mes Rusisë dhe Perëndimit që prej aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Vetëm Rusia e njeh gadishullin si pjesë të saj dhe për këtë veprim është përballur me sanksione të shumta.
Britanikët mohojnë që anija e tyre të jetë qëlluar nga rusët në Detin e Zi, por Putin tha se Rusia mund ta kishte mbytur atë pa nisur Luftën III Botërore, si dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara se kishin rol në këtë provokim.