Pandemia e koronavirusit ka ndryshuar mënyrën se si zhvillohen eventet. Përjashtim nuk do të bëjë as inaugurimi i presidentit amerikan të zgjedhur, Joe Biden.
Anëtarët e komisionit të inaugurimit në SHBA thonë se parada, pas betimit të 78-vjeçarit demokrat, do të mbahet në mënyrë virtuale për të evituar grumbullimet e njerëzve. Sigurisht kjo ceremoni do të jetë historike pasi kombi do të shohë Biden të nisë zyrtarisht detyrën dhe për herë të parë do të jetë një grua në postin e zëvendëspresidentit.
Demokratët po u bëjnë thirrje amerikanëve që të mos udhëtojnë për në Uashington, por ta shohin eventin e 20 janarit përmes televizionit ose në internet. Parada virtuale do tu bëjë homazh heronjve amerikanë dhe do të reflektojë diversitetin e këtij shteti si dhe trashëgiminë.
Eventi do të ketë performanca nga emra të njohura të skenës amerikane, emrat e të cilëve do të zbulohen në javët e ardhshme.