Carlo Ancelotti është një nga trajnerët më fitues në Europë, por italiani aktualisht është pa licencë. Italianit i ka skaduar licenca më 31 dhjetor të 2021-shit dhe për të vazhduar të drejtojë një skuadër, trajneri i Real Madridit duhet të ndjekë kurset përkatëse me detyrim.
Sipas “Corriere dello Sport”, Federata Spanjolle e Futbollit i ka komunikuar Carlo Ancelottit se do të ndërmjetësojë edhe me UEFA-n për të “zbutur” një situatë të sikletshme, që nuk duhet të ketë të bëjë me një nga trajnerët më fitues të të gjitha kohërave.
Një histori që duket paradoksale për një trajner, që numëron më shumë se 1200 prezenca në stol gjatë karrierës dhe me një palmares shumë të pasur, me 21 tituj të fituar, mes të cilëve 3 Liga Kampionësh me Milanin dhe Real Madridin.