Banka e Shqipërisë po punon për ndryshime rregullatore, që pritet të sjellin shtrëngime të ndjeshme për kredidhënien e institucioneve mikrofinanciare, veçanërisht atyre që japin kredi të shpejta.
Burime bëjnë të ditur se po punohet me konsulencën e Bankës Botërore për të hartuar një rregullore që synon të kufizojë huadhënien dhe bazën e klientelës në mikrofinancën konsumatore.
Disa nga parimet ku do të mbështetet rregullorja e re do të jenë një analizë e shtuar financiare e huamarrësve, vendosja e një credit scoring (pikëzimi i kredimarrësve) dhe kufizim të numrit të kredive për një huamarrës të vetëm. Objektivi është që projektrregullorja e re të jetë gati në fillim të vjeshtës.
Këto ndryshime po vijnë pas një trysnie në rritje nga opinioni publik dhe Kuvendi i Shqipërisë, të nxitura sidomos nga çështja penale e ngritur ndaj një institucioni financiar të mbledhjes së kredive të këqija dhe përmbaruesve të lidhur me të, për shkelje ligjore në procesin e mbledhjes së këtyre detyrimeve.
Projektrezoluta e Kuvendit “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2023”, ku përfshihen edhe rekomandimet kryesore për punën e institucionit gjatë vitit 2024 dhe në vazhdim, kërkon angazhim në hartimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore, nën asistencë e institucioneve ndërkombëtare, për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka.
Sipas projektrezolutës, Bankës së Shqipërisë i kërkohet gjithashtu të analizojë kuadrin rregullator të licencimit të Institucioneve Financiare Jobanka, me synim forcimin e mëtejshëm të kritereve për licencimin e këtyre subjekteve si dhe të hartohet një dokument i politikës së licencimit për bankat dhe jo-bankat, ku të mbahen parasysh elemente të tillë si mbrojtja e konsumatorit, vendi i origjinës së pronarëve fundor, eksperienca në sistemet financiare europiane e subjekteve që aplikojnë për licencim.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë duhet të sigurojë përmirësimin e treguesve të transparencës të të gjitha institucioneve që licencohen nga Banka e Shqipërisë, veçanërisht të Institucioneve Financiare Jobanka, në mënyrë që informacioni i pasqyruar prej tyre të jetë i plotë, me një gjuhë të thjeshtë dhe lehtësisht i aksesueshëm për konsumatorët, nëpërmjet të gjitha kanaleve të komunikimit, qofshin ato fizike apo dixhitale.
Institucionet financiare jobanka dyfishuan fitimin vitin e kaluar
Institucionet financiare jobanka fituan pesë miliardë lekë ose rreth 48 milionë euro vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi i këtyre institucioneve u rrit me shumë se dy herë krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, duhet theksuar se një pjesë e fitimeve të institucioneve financiare jobanka mund të jenë të lidhura me dividendët e marrë nga shoqëritë ku janë aksionere. Dy prej institucioneve financiare jobanka janë aksionerë të bankave tregtare dhe fitimet e tyre ndikohen edhe nga shpërndarja e dividendëve të këtyre bankave. Gjithashtu, këtu nuk përfshihet vetëm fitimi i subjekteve të kredidhënies, por edhe atyre të shërbimeve të pagesave.
Në Shqipëri deri në fund të vitit 2023 vepronin 27 institucione financare jobanka të licencuara. Ato janë të ndara në dy profile kryesore të aktivitetit: institucione të kredidhënies (përfshi veprimtari të lizingut, faktoringut apo mbledhjes së kredive të këqija) dhe institucioneve të shërbimeve të pagesave apo parasë elektronike.
Muajin e kaluar, Banka e Shqipërisë vendosi revokimin e licencës për dy prej tyre, pas fillimit të ndjekjes penale ndaj aksionerëve të tyre.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i huasë i institucioneve financiare jobanka në fund të vitit 2023 arriti në 56 miliardë lekë ose pothuajse 540 milionë euro. Portofoli i kredisë i dhënë nga këto institucione është rritur me afërsisht 14% krahasuar me fundin e vitit 2022.
Sektori i aktiviteteve të tjera të shërbimit dhe ai i tregtisë me shumicë dhe pakicë janë sektorët më të financuar të biznesit, me nga rreth 25% dhe 16% të totalit të stokut për bizneset, ndjekur nga ndërtimi, me afërsisht 10%.
Mikrofinanca në Shqipëri përmbush kryesisht nevojat konsumatore të individëve dhe aktivitetin e bizneseve të vogla dhe mikro. Ajo ka si objektiv kryesisht atë segment që ka vështirësi për të siguruar akses për financim nga sektori bankar, duke përfshirë subjektet me të ardhura më pak të formalizuara dhe fermerët.
Megjithatë, duke shfrytëzuar teknologjinë, institucionet e modelit fintech kanë fituar një avantazh konkurrues në ofrimin e kredive në kohë shumë të shpejtë dhe me procedura minimale, madje pa qenë nevoja që klienti të paraqitet për tu identifikuar dhe për të firmosur fizikisht. Praktikat më dinamike u japin këtyre institucioneve një avantazh në raport me sektorin bankar, por ana tjetër e medaljes është se në përgjithësi kredia e dhënë prej tyre është ndjeshëm më e shtrenjtë krahasuar me sektorin bankar.
Ky sektor ka njohur në rritje të shpejtë të portofolit të kredisë, shoqëruar me fitime të mëdha dhe nivele të larta të kthimit nga kapitali, pavarësisht vendosjes së normave tavan të interesit nga Banka e Shqipërisë.
Që prej vitit 2022, Banka e Shqipërisë nisi aplikimin e një norme tavan interesi për kreditë konsumatore në Shqipëri. Sipas Bankës së Shqipërisë, arsyeja kryesore ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, normat efektive të interesit para hyrjes në fuqi të rregullores arrinin deri në 256% për kreditë në shuma të vogla dhe afate minimale maturimi.
Sipas rregullores “Për kredinë konsumatore dhe hipotekare”, NEI maksimal llogaritet nga Banka e Shqipërisë me bazë gjashtëmujore, mbështetur në të dhënat e Regjistrit të Kredive të administruar prej saj. Nivelet e NEI-t maksimal publikohen në fillim të çdo 6-mujori dhe bazohen në kreditë e disbursuara në gjashtëmujorin paraardhës. Ky tregues ndërtohet si mesatare e normës efektive të interesit për secilin produkt dhe interval, e shtuar me një të tretën. NEI maksimal është i detyrueshëm për t’u respektuar nga të gjitha bankat dhe institucionet financiare të licencuara për aktivitet të huadhënies në Shqipëri.
Në fillim të këtij viti, normat tavan të interesit për kreditë e vogla konsumatore kanë pësuar një rënie të ndjeshme. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma efektive maksimale e interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore në lekë, për shumat deri në 200 mijë lekë është ulur në 100%, nga 118.96% që kishte qenë deri në fund të vitit të kaluar. Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit.
Gjithmonë për shumat deri në 200 mijë lekë, NEI maksimal për overdraftet (paradhëniet) është ulur në 18.6%, nga 18.95% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar.
Për kartat e kreditit, NEI maksimal do të jetë 27.4%, nga 28.23% që kishte qenë për 6-mujorin e dytë të vitit të kaluar.
NEI maksimal për kreditë nga 200 mijë lekë deri në 600 mijë lekë ka pësuar gjithashtu një ulje të ndjeshme në 40.6%, nga 47.07% që kishte qenë deri në fund të vitit të kaluar.
Për ovedraftet në intervalin 200-600 mijë lekë, NEI maksimal është rritur në 17.55%, nga 17.15% që kishte qenë në 6-mujorin paraardhës.
Ndërsa për kreditë me vlerë nga 600 001 deri në 2 000 000 lekë NEI maksimal është ulur ndjeshëm në 15.6%, nga 17.27% që kishte qenë deri në fund të vitit 2023./Monitor