“Nesër nuk do të jem më në këtë zyrë”. Kështu e nis video-mesazhin e tij, ish-kryeministri Albin Kurti pas 4 muajsh qeverisje. Gjatë kësaj kohe ai thotë se është bërë një qeverisje e mirë, ku janë marrë 213 vendime që e kanë bërë më të mirë politikën e Kosovës.
Kurti falenderoi të gjithë për mbështetjen dhe tha se në zgjedhjet e Tetorit 2019, u dëshmua se LVV është partia e parë dhe më e madhe në Kuvend.
Megjithatë, ai përsëriti dhe njëherë kundërshtinë në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë Thaçit për mandatimin e Avdullah Hotit si kryeministër. Ai e quan vendimin agresion ndaj Kushtetutës, ndërsa për qeverinë thotë se është e paligjshme.
“Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm. Me atë vendim ata kanë bërë agresion mbi kushtetutën e Republikës dhe kanë zhvlerësuar veten e tyre si gjykatë. Kjo qeveri është qeveri e paligjshme. Kjo është qeveria “Koti”. Ne jemi qeveria alternative”.
Kurti paralajmëron betejë të fortë dhe rikthim të shpejtë aty ku ishte. Nesër, thotë që nuk do të bëjë pranim-dorëzimin tek Avdullah Hoti, të cilin e shkarkoi më parë kur mbante postin e zv/kryeministrit.
“Nesër nuk do ta bëj pranim-dorëzimin sepse nuk mund të pranoj atë që shkarkova, ndërkohë që edhe u dorëzua tek Presidenti. Ne vazhdojmë betejën, do të kthehemi përsëri dhe shumë shpejt”, tha Kurti.