Gjykata ka lënë në burg ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka duke mos i pranuar sërish kërkesën për ndryshim mase. Lajmi u bë i ditur nga avokati mbrojtës, i cili tha se gjendja shëndetësore e tij është e rënduar dhe nuk mund të qëndrojë më në paraburgim.
“Zoti Koka është në gjendje të rënduar shëndetësore, nuk mund të vazhdojë të mbahet në paraburgim. Gjykata, pavarësisht këtyre konkluzioneve mori edhe rolin e mjekut, ekspertëve dhe vendosi ta rrëzojë kërkesën. Sot ishte kërkesa për Elbasanin, kemi 9 seanca që po zhvillojmë për të arritur në një vendimmarrje. Seanca e ardhshme është në datën 7 Nëntor, pra është shumë larg, përsa i përket ecurisë së seancave”, tha mes të tjerash avokati.
Avokati tha se në këto kushte do të kërkohet që çështja të shkojë në gjyq në themel. Ai ftoi median të jetë prezente në këtë proces që tha se do të jetë me dyer të hapura e ku sipas avokatit, “do të dëgjoni më shumë sa keni dëgjuar deri tani”.
“Në këto kushte ne si mbrojtje, do të kërkojmë sa më parë që çështja të shkojë në gjyq në themel. Ai nuk mund të vazhdojë të jetë në kushtet e paraburgimit, i vetmi person i cili u ndalua që në momentin e parë në shtëpinë e tij. E ka pritur me qetësi ndalimin, hetimin, por sot janë më shumë se 10 muaj në ato kushte shëndetësore, ku në një shoqëri demokratike, apo ku ligji do të mbizotëronte, sot ai do të ishte i lirë, për ato shkaqe që kanë konkluduar ekspertët. Ftojmë mediat të bëhen pjesë këtij procesi, të marrin pjesë në këtë proces që do jetë me dyer të hapura ku dhe do të dëgjoni më shumë sa keni dëgjuar deri tani, përveç akuzave politike me të cilat ai është kallëzuar dhe mbahet në paraburgim në këtë proces. Do të jetë me interes për të gjithë. Ai është vërtetë i sëmurë, por është ende gjallë dhe do të mbajë qëndrimin e tij nëpërmjet mbrojtësve ligjorë në atë proces“, shtoi ai.
Në dhjetor të vitit të kaluar, SPAK urdhëroi prangosjen e ish-ministrit të Mjedisit për dosjen e inceneratorit në Elbasan. Ndaj tij janë 2 masa me ‘arrest me burg’, për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit.
SPAK pretendon se Koka ka përfituar përmes ryshfetit 1.2 milionë euro për ndërtimin e inceneratorit të Fierit. Ndërsa për inceneratorin e Elbasanit, Koka akuzohet se ka marrë ryshfet 3.7 milionë euro për ndërtimin e tij.