Koreja e Veriut është shumë pranë përmbushjes së qëllimit për të vënë nën rrezen e goditjes së raketave të saj Shtetet e Bashkuara.
Paralajmërimi vjen nga kreu i CIA-s Mike Pompeo. Ai theksoi se Uashingtoni preferonte ende diplomacinë ndaj sanksioneve, por shtoi se forca ushtarake mbetej një opsion. Peniani pretendon se ka aftësinë për të goditur Shtetet e Bashkuara.
“Koreja e Veriut është pranë përmbushjes së objektivit e nga pikëpamja e politikës amerikane, ne duhet të sillemi sikur thuajse e ka arritur këtë. Kanë avancuar aq shumë, sa tani duhet të mendojmë se si të ndalim hapin përfundimtar”, u shpreh Pompeo.
Javën e kaluar edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson këmbënguli se Presidenti Donald Trump donte ta zgjidhte krizën përmes diplomacisë. Në fjalimin gjatë të cilit preku shumë tema, Pompeo tha gjithashtu se shërbimet e zbulimit kishin arritur në përfundimin se ndërhyrja e Rusisë nuk kishte ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 2016-s.
Por më vonë, CIA lëshoi një deklaratë që dukej se i kundërshtonte konstatimet e shefit të saj.
“Vlerësimet e inteligjencës për ndërhyrjen e Rusisë nuk kanë ndryshuar dhe drejtori i CIA-s nuk donte të sugjeronte këtë”, thuhet në deklaratë.