Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të prekin shpejt pikun e rasteve me Covid-19. Deklarata vjen nga ekspertët e shëndetësisë që paralajmërojnë liderët e shteteve që të mos zbusin kufizimet apo të heqin detyrimin për mbajtjen e maskave.
“Mendoj se do të kemi një rritje të numrit të infeksioneve ditore”, tha doktoresha Leana Wen për CNN. Ajo shtoi se vaksinimi i të moshuarve dhe grupeve të riskut ka ndihmuar sistemin shëndetësor në këtë periudhë të vështirë.
SHBA është vendi më i prekur I botës nga pandemia koronavirus dhe ka raportuar 29 milionë të infektuar dhe 538 mijë viktima. Një projeksion i Universitetit të Uashingtonit parashikon se deri më 1 korrik, 596 mijë amerikanë do të kenë humbur jetën nga Covid-19.