Politika Paralajmërimi i Londrës: Do të ketë të tjerë “non grata”

Paralajmërimi i Londrës: Do të ketë të tjerë “non grata”

Britania e Madhe do të sjellë një valë të dytë shpalljesh ‘non grata’ politikanësh, biznesmenësh dhe të gjithë ata që minojnë sundimin e ligjit në Shqipëri. Deklarata u bë nga ambasadori britanik në vendin tonë, Alastair King-Smith, i cili në një intervistë për gazetarin Muhamed Veliu në TCH tha se shpalljet ‘non grata’ do të vijnë deri në fund të vitit.

Diplomati i lartë u shpreh se veprime të ngjashme do të ndërmerren, por emrat tha ai nuk bëhen publik për disa arsye ligjore.

“Ju do të shikoni më shumë rreth kësaj më vonë këtë vit e më tutje. Kjo do jetë diçka që do të bëhet rutinë. Sapo prova dalin në dritë, raportime të gazetarëve apo nga të tjerë ne do të shikojmë se çfarë veprimesh do të marrim të ndihmojmë qëllimin final në dhënien fund pa-ndëshkueshmërisë”, tha ndër të tjera ambasadori.

Më 22 korrik, ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi vetë se është shpallur non grata nga Britania e Madhe. Në një deklaratë për mediat, kreu i Partisë Demokratike theksoi se ky lajm i është bërë e ditur përmes një letre Home Secretary, ku theksohet se ky vendim është marrë për “lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, si edhe për korrupsionin”.

PJESE NGA INTERVISTA

Ish presidenti dhe kryeministri Sali Berisha pranoi publikisht më 22 Korrik se atij i ishte ndaluar hyrja në Angli. Sa është numri shqiptarëve të shpallur ‘non grata’ nga Mbretëria e Bashkuar?

Alastair King-Smith: Ju e keni parë artikullin e Sir Stuart Peache të dërguarit special të kryeministrit për Ballkanin Perëndimor disa javë më parë ku u njoftua vala e parë e personave që u ndalohet hyrja nga Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria. Vala e parë përfshinte disa persona të një profili të lartë nga Shqipëria me lidhje korruptive dhe në kriminalitet të cilët nuk janë të mirëseardhur të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ne do të vijojmë të ndërmarrim veprime të ngjashme në lidhje me këtë. Ne nuk i publikojmë emrat për disa arsye ligjore. Ndjesë që nuk mundem të flas për numrin e tyre apo emrat e këtyre individëve. Është në dorë të individëve të vetë-deklarohen. Kjo nuk është për një individ. Kjo është për ti dhënë fund pa-ndëshkueshmërisë, vendosjen përpara përgjegjësisë dhe ndaluar ata me lidhje kriminale përfshi korruptive të cilët ndjehen se nuk i gjen asnjë pasojë.

Mund të na thoni nëse do të ketë një valë të dytë personash ‘non grata’ për të hyrë në Angli?

Alastair King-Smith: Kërkohet kohë për të arritur disa standarde e më pas mbërritur në vendimmarrje. Këto lloj ndalesash ndërmerren nga Sekretarja e Punëve të Brendshme ndërsa sanksionet anti-korrupsion nga Sekretari punëve të Jashtme dhe më gjerësisht për ato që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë nga prokurorë të pavarur. Ju do të shikoni më shumë rreth kësaj më vonë këtë vit e më tutje. Kjo do jetë diçka që do të bëhet rutinë. Sapo prova dalin në dritë, raportime të gazetarëve apo nga të tjerë ne do të shikojmë se çfarë veprimesh do të marrim të ndihmojmë qëllimin final në dhënien fund pa-ndëshkueshmërisë.