Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmës-Sekretar i Shtetit në SHBA në një intervistë përmes postës elektronike thotë për gazetarin e Top-Channel, Muhamed Veliu se qëndrimet e qeverisë amerikane në raport me zhvillimet politike nga vizita e tij e fundit s’kanë ndryshuar.
Nga Uashingtoni, z. Palmer ka një mesazh të drejtpërdrejtë për udhëheqësit e opozitës Shqiptare.
“Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Ka qenë shumë e qartë në të kaluarën që kur drejtuesit duan që protestat që të jenë paqësore, ato kanë qenë paqësore. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të bëjnë hapa pas nga konfrontimi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv që synon t’i japë fund ngërçit politik”. Thotë Palmer.
Në intervistën për Top-Channel, për zgjedhjet e 30 Qershorit Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit në SHBA, Palmer dërgon një paralajmërim për ata që do të tentojnë të pengojnë qytetarët të votojnë.
Ai thotë: “Kur isha në Tiranë në prill, e nxita opozitën të merrte pjesë në zgjedhje, t’ia përcillte mesazhin e saj qytetarëve, të fitonte pozicionin në qeveri, dhe pastaj ta përdorte fitoren si mjetin për të mbajtur angazhimet dhe vizionin për të ardhmen. Ishte vendimi i udhëheqësve të opozitës, dhe vetëm i tyre, që të mos regjistroheshin për zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk mund të fitosh zgjedhjet nëse qëndron jashtë tyre dhe përdorimi i bojkotit për të penguar zgjedhjet vendore të një vendi të tërë nuk ndihmon për ndërtimin e institucioneve më të forta demokratike.
I kemi paralajmëruar drejtuesit e opozitës të mos pengojnë procesin zgjedhor, çka siç e vërejta, mund të përbënte shkak për të mos u kualifikuar për të hyrë në SHBA. Ditën e zgjedhjeve, ekipet tona të ambasadës do të vendosen në qendra votimi për monitorim zgjedhor. Kemi në plan të shqyrtojmë raportimet për monitorimin zgjedhor të ekipeve tona si dhe ato të ODIHR”.