Shefi i CIA-s, William Burns, ka deklaruar se Kina mund të sulmojë Tajvanin në vitet e ardhshme, duke iu referuar faktit se Presidenti Xi Jinping “po përgatitet për një luftë” në ambicien e tij për të bashkuar ishullin me territorin kinez. Tensionet politike midis dy vendeve datojnë që nga lufta civile kineze (1927-1949).
Përkundër faktit se Kina ka përsëritur publikisht synimin e saj për të kontrolluar Tajvanin me mjete paqësore, Burns, në një intervistë për rrjetin PGB, ka theksuar se Jinping gjithashtu do të kishte udhëzuar udhëheqjen e tij ushtarake që në vitin 2027 dhe të ishte gati për të nisur një luftë eventuale.
“Nuk jam i sigurt se kur. Përgjigjja e sinqertë është se sa më shumë të hyjmë në këtë dekadë, aq më të mëdha do të jenë rreziqet e një konflikti ushtarak”, tha shefi i CIA-s.
Burns kujtoi se Xi Jinping dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë pasur një marrëdhënie shumë të ngushtë vitet e fundit.
“Një javë para se Putini të niste pushtimin e tij në Ukrainë, kur u takuan në Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin, ata shpallën një miqësi të pakufishme”, theksoi kreu i CIA-s.
Ndërkohë, ai theksoi se prioriteti i CIA-s nuk është vetëm se si një konflikt mund të ndikojë në Tajvanin, por edhe se si ai do të ndikojë në “sfidën afatgjatë gjeopolitike”.
“Gjatë dy viteve që unë kam qenë drejtor, ne kemi krijuar një qendër të re misioni, e cila është një lloj blloku organizativ i CIA-s. Është e vetmja qendër misioni në një vend që kemi, e fokusuar në Kinë. Ne kemi vendosur burime, personel dhe prioritete në atë drejtim, sepse është një konkurrencë globale”, shtoi ai.
Për sa i përket fuqisë ushtarake, Kina është superiore ndaj Tajvanit në pothuajse çdo drejtim, nga tanket tek artileria e deri tek avionët. Megjithatë, Tajvani ka një rezervë më të madhe ushtarake të trupave tokësore që i ka trajnuar në rast të një pushtimi në shkallë të plotë nga Kina. Një sulm ndaj Tajvanit është konsideruar i mundshëm që nga vitet ‘50.