Zv/Kryeministrja Belinda Balluku, gjatë një takimi së bashku me ministrin e Brendshëm në Fier dhe me prefektët e qarqeve, u bëri thirrje Prefekturave dhe Emergjencave Civile që të përgatiten nga rreziku i përmbytjeve dhe të rifreskojnë planin e masave, për të parandaluar çdo situatë të rëndë.
Në fjalën e saj, Balluku solli në vëmendje përmbytjet katastrofike në Valencia të Spanjës ditët e fundit, ku humbën jetën qindra banorë nga vërshimet e mëdha të ujërave.
Zv/Kryeministrja theksoi se priten shirat e Vjeshtës dhe duhen marrë masa për të shmangur përmbytjet.
“Do duhet që të kemi një plan masash përsa i përket emergjencave civile. Ndryshimet klimaterike nuk po kursejnë askënd. Jemi duke ndjekur ngjarjet që po ndodhin në Gadishullin Iberik në javët e fundit. Të gjithë njësitë, prefekturat duhet të rifreskojnë planin e masave, duhet angazhim maksimal me emergjencat civile. Edhe ministri i Mbrojtjes ka nisur një tur takimesh. Përveç makinerive apo forcave të shtuara, do kërkohet dhe një plan i mirë eficent për përballimin e problematikave që mund të vijnë me shirat e Vjeshtës dhe ngricat gjatë Dimrit”, u shpreh Balluku.
Zv/Kryeministrja foli edhe për sfidat e tjera në territor, si dhe dy projekte të rëndësishme e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës që pritet të marrin jetë së shpejti.
“Çështje të tjera të rëndësishme mbetet lufta kundër kultivmit të kanabisit. Siguria dhe rendi publik, do ndajmë me ju disa risi, siç është projekti i madh që Ministria e Brendshme në proces, quhet paketa Smart City që do t’i ofrojnë zonave urbane mbulim të plotë me kamera sigurie dhe këto materiale që do prodhohen nga kamerat do kenë edhe qendrat e përpunimit të të dhënave. Këto janë qendra monitorimi por do ndërthuren edhe me projektin tjetër për monitorimin e akseve kombëtare. Të dyja këto projekte ndërthuren duke dhënë monitorim të plotë”, theksoi Balluku.