Aktualitet Parandalohet ngjarje kriminale, dy të arrestuar me armë e makinë të blinduar

Parandalohet ngjarje kriminale, dy të arrestuar me armë e makinë të blinduar

Një ngjarje kriminale është parandaluar nga Policia e Lezhës dhe FNSH e Shkodrës gjatë një aksioni të koduar “Dyshimi”.

Dy persona u arrestuan gjatë këtij aksioni, të cilët dyshohet se po organizonin dhe finalizonin një ngjarje kriminale në zonën e Kunes. Të arrestuarit janë Nikoll Sherniku 28 vjeç dhe F.B 34 vjeçe, të dy nga Kurbini.

Policia lokalizoi automjetin e tyre, një fuoristradë Toyota të blinduar, poshtë një pallati në Kune të Shëngjinit.

Por Nikoll Sherniku dhe Flutura Berisha, sapo kanë parë shërbimet e policisë duke u afruar, kanë dalë menjëherë nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen me vrap, por u kapën.

Gjatë tentativës për t’u larguar, F.B, e cila ishte shoferja e automjetit, ka tentuar që të fshehë edhe një armë zjarri, në afërsi të vendit ku automjeti ishte i parkuar. Arma e zjarrit kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas nga efektivët.

Në automjetin e blinduar, së bashku me këta persona ka qenë edhe një i mitur 15 vjeç.

Gjatë kontrollit në makinë u gjet një krehër automatiku me fishekë në të, ndërsa në çantën e dorës së 34-vjeçares janë gjetur 2 radio marrëse – dhënëse, si ato të policisë.

Nikoll Sherniku është person me masë sigurie arrest në shtëpi, pasi dyshohet i implikuar në ngjarjen e ndodhur në Dhjetor 2021, ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-punonjësi i policisë Xhulio Prela.

Tashmë ai akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje dhe largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit, ndërsa F.B akuzohet për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Policia thotë se ka dyshime që lëvizja e këtyre shtetasve me automjetin e blinduar, në role të ndryshme, ishte për të realizuar një ngjarje kriminale. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, policia nuk bën të ditura të dhëna të tjera në lidhje me rastin.

Vijon puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të implikuar.